Më 5 mars të vitit 1998 u shënua 26-vjetori sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.

Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 33 të lagjes dhe të tjerë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-s, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.

Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.

Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.

SHPËRNDAJE