Drenushë Halili u lind më 1972 në Ranatoc të Preshevës. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen ne Gjilan, kurse fakultetin Filologjik drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Frënge, e kreu në Prishtinë.
Punoi përkthyese e gjuhës frënge në disa organizata joqeveritare të cilat vepruan në Kosovë. Përktheu nga gjuha frënge dhe publikoi në media artikuj të ndryshëm. Shkruan kryesisht për te vegjël, por edhe për te rritur. Botoi librin “Letra e dallëndyshes” me poezi për fëmijë.
Drenusha, sot jeton dhe vepron në Gjenevë
Ndryshim zëri
Për një qast
Mijëra fjalë
Mijëra mendime
Në kokën time
Vluan
Mijëra yje u ndezën
Mijëra të tjerë
U shuan
Nga zëri yt i ndryshëm!
Shtegëtim
Të përcolla në vjeshtë
Shi e lot u bënë bashkë
Më shikove duke heshtë
Ike e më s’të pashë
Në vargun e zogjëve shtegëtarë
Rende qiellit me re të bardha
Që ngjanin herë si plisa
Herë si ujvara…
Portret në rërë
Fytyrën ta imagjinoj
Portretin tënd
Në rërë e pikturoj
Dallgë deti
Shlyejnë pa mëshire
Mos vallë duhet
Të pikturoj më mire?!
Nga e para
Filloja prap
Zëri yt
Më thotë nga larg…