albbbbjmmGjatë vizitës në Shqipëri, Komisioneri i BE-së për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, u prit edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Në një komunikatë për media nga Presidenca thuhet se kreu i shtetit përcolli vlerësimet për bashkëpunimin dhe mbështetjen që komisioni evropian po i ofron Shqipërisë në të gjitha drejtimet dhe e siguroi se shqiptarët kanë zgjedhur Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë për të ardhmen e tyre.

Duke u ndalur te flukset migratore që po përdorin Korridorin Ballkanik për të hyrë në Evropë, Nishani vuri në dukje se si Shqipëria ashtu edhe të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës e kanë pjesë të historisë së tyre fenomenin e emigracionit. Presidenti theksoi se beson te zgjidhja burimore e këtij problemi, duke mos iu shmangur gjithashtu angazhimit si vend me perspektivë të qartë evropiane për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje evropiane për krizën aktuale.

Duke qenë solidarë si me dhimbjen njerëzore që ka nxitur flukset migratore ashtu edhe me barrën e rëndë ekonomike e sociale që Bashkimit Evropian dhe rajonit tonë u duhet të përballin në këtë sfidë, Nishani evidentoi si shumë të rëndësishëm adresimin e të dy përmasave të kësaj çështjeje, atë humanitar dhe aspektin e sigurisë.

Kreu i shtetit nënvizoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi, asistence dhe bashkëveprimi të njehsuar nën ombrellën evropiane për trajtimin e flukseve migratore që lëvizin nëpërmjet Korridorit Ballkanik.

SHPËRNDAJE