Gjatë ditës së djeshme dhe sot (20 e 21 mars 2016), iu dhe publicitet një kërcënimi që kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ia paska bërë edhe gazetarit të «INSAJDER» z. Vehbi Kajtazi, madje për nesër me datën 22 mars 2016, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës paska vendosur të reagoj kundër këtyre kërcënimeve dhe gjuhës perverse që përdor Isa Mustafa kundër gazetarëve dhe personave publik. Edhe unë si intelektuale që merrem me shkrime publike dhe në cilësinë e Nënkryetares së Degës së LDK-së në Zvicër ngreh zërin tim të protestës duke u solidarizuar me të gjithë ata që janë kundër këtij niveli kërcënues dhe gjuhës perverse të z. Isa Mustafa, por me këtë rast shpreh keqardhjen time pse edhe mediat e shkruara dhe asociacionet e gazetarëve po përdorin standarde të dyfishta ndaj disa shkrimtarëve dhe gazetarëve?!
STANDARDET E DYFISHTA NË GAZETARINË E KOSOVËS
Më datën 7 shkurt 2016, Kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa në cilësinë e kryetarit të LDK-së ka bërë një atak të ngjashëm edhe kundër shkrimtarit, publicistit dhe intelektualit Shefqet Dibrani, ku të gjitha mediat në Kosovë i patën dhënë publicitet asaj shpifje dhe akuze ndërsa e patën injoruar përgjigjen e z. Dibrani i cili atë reagim ua pat dërguar të gjitha institucioneve relevante në Kosovë, prandaj apeloj, sidomos tek AGK dhe tek të gjitha mekanizmat që merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të autorëve ta ngritin zërin e tyre kundër këtij avazi, por duke i dalë në mbrojtje edhe intelektualit dhe veprimtarit Shefqet Dibrani i cili përveç se është autor i mijëra shkrimeve, është edhe autor i 17 librave të botuar.
Nuk dua të zgjatem ma shumë por dua t’ua rikujtoj se Isa Mustafa në cilësinë e Kryetarit të LDK-së pat shpifur kundër shkrimtarit Shefqet Dibrani se ”Ata që merren dhe shkruajnë letra, do të ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve e të djerrin kohën duke prodhuar patriotë e tradhtarë në Kosovë”, (7 Shkurt 2016), kurse më poshtë po i jap vetëm disa fragmente nga reagimi ma i gjatë i z. Dibrani i cili ua pat dërguar shumë institucioneve dhe mekanizmave në Kosovë, por (të paktën unë nuk e di), nëse ndonjë medium e pat publikuar edhe pse dihej se ishte akuzë e qëllimshme për t’ia lënduar personalitetin shkrimtarit, kurse shpifjes së z. Isa Mustafa i patën dhënë aq publicitet sa nuk bëhej më, gjë që është për keqardhje për këto standarde të dyfishta që po i ndjekin edhe mediat shqipe në Kosovë.
Ndërsa në përgjigjen e z. Dibrani të datës 14.02.2016, pos tjerash thuhej: «Kemi vënë re se kohëve të fundit në LDK-së shpifja dhe rrena janë bërë rutinë të cilat edhe pse janë vepra penale, LDK-ja dhe vet z. Isa Mustafa, i përdorin për konsum të brendshëm për t’i njollosur dhe degraduar personalitetet publike të cilët ruajnë dhe kultivojnë vlera të mira njerëzore dhe politike»… «konstatimi i Kryesisë së LDK-së në Prishtinë dhe i vet z. Isa Mustafa se “ata që merren dhe shkruajnë letra, do të ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve”, është akuzë dhe shpifje e drejtpërdrejt për personalitetin tim dhe për të gjithë mërgimtarët të cilët një jetë e kanë shkrirë për Kosovën pa pasur nevojë të shfrytëzojnë skemat sociale në Zvicër. Por si akuzë të cilën e bënë Kryeministri i Kosovës bashkë me Kryesinë e LDK-së, jo vetëm që nuk ka asnjë argument, por ka bazë të mjaftueshme për ndjekje penale sepse të fyesh një personalitet publik duke e akuzuar se po i rrezikuaka skemat sociale të Zvicrës është gjëja ma e ultë dhe tejet e shëmtuar që mund ta shpifin zyrtaret politik dhe shtetëror të Kosovës»… /”Në këtë rast ia bëjë me dije z. Isa Mustafa dhe Kryesisë Qendrore të LDK-së se në jetën time kurrë nuk kam përdorur skemat sociale të ndonjë shoqërie dhe as nuk kam keqpërdorur ndonjë metelik nga taksapaguesit e ndonjë vendi”… / ”Z. Isa Mustafa dhe kryesia Qendrore e LDK-së duhet ta dinë edhe këtë gjë, se gjithë veprimtaria ime politike në shërbim të LDK-së dhe Kosovës është mbuluar nga të ardhurat e mia personale duke mos shfrytëzuar kurrë asnjë cent as buxhetin e partisë dhe as para të shoqërisë”…
Me respekt!
Bernë, 21 mars 2016.
Zize Pepshi, nënkryetare e Degës se LDK në Zvicër