Pas Milanit, Galatasarayt, Arsenalit e Ajaxit, edhe Barcelona do të zbarkojë në Kosovë
Gjiganti spanjoll, Barcelona, do të mbërrijë në Kosovë me projektin ‘FCBEscola Summer Camp Kosovo 2016” për të zbuluar talente të reja. Rreth 250 deri 300 të rinj kosovarë do të ndiqen me kujdes nga trajnerët katalunas.
Shkolla e futbollit të Barcelonës do të mbajë prej datës 21 deri më 25 maj, për herë të parë, në Kosovë kampin për grupmosha U16, U14, U12, U10 dhe U8. Kampi do të zgjasë pesë ditë.
Koordinator i Projektit, Adnan Ahmeti, ka bërë të ditur se në këtë kamp do të marrin pjesë nga 250 deri në 300 fëmijë. Në fund do të përzgjidhen 2 lojtarët më të mirë të kampit, të cilët do të kenë mundësi që vitin e ardhshëm të qëndrojnë për një javë në hapësirat e shkollës së Barcelonës ‘La Masia’, përsjell Gazeta Express.
Ndër të tjera Ahmeti ka treguar se çmimi për aplikim do të jetë 180 euro. Kjo shifër megjithatë nuk është aq e lartë, pasi koordinatori i këtij projekti tregoi se interesimi është tejet i madh për të qenë pjesë e këtij kampi, shkruan Gazeta Express.
“Shkolla e futbollit të njërës prej akademive më të fuqishme në botë po vjen edhe në Kosovë. Prej 21-25 maj, Shkolla e futbollit të FC Barcelonës, e quajtur FCBEscola, do të mbajë për herë të parë në Kosovë kampin për grupmosha U16, U14, U12, U10 dhe U8. Pra, kampi do të zgjasë pesë ditë. Çmimi për pjesëmarrje është 180 euro për një fëmijë dhe në kuadër të kësaj pagese çdo fëmijë do të marrë dy palë pajisje për stërvitje me logo zyrtare të Kampit”, ka thënë Ahmeti.
“FCBEscola Kampi veror Kosova 2016’, do të mbahet në fushat e KF KEK-ut në Kastriot. Tashmë është hapur regjistrimi, ndonëse ne para disa ditësh kemi filluar me një fazë të para regjistrimit dhe interesimi ka qenë shumë i madh. Në fazën e para-regjistrimit kanë aplikuar rreth 260 fëmijë dhe ka fëmijë apo të interesuar nga Suedia, Gjermania, Italia, vendet e rajonit, madje dje ka aplikuar edhe një fëmijë nga Alaska e largët, për pjesëmarrje në këtë kamp”, shtoi Ahmeti, transmeton Gazeta Express.
“Numri i pjesëmarrësve në këtë kamp është i kufizuar, diku rreth 250-300 fëmijë, ndërsa për çdo grupmoshë deri në 50 fëmijë ku në fund, do të përzgjidhen 2 lojtarët më të mirë të kampit, të cilët do të kenë mundësi që vitin e ardhshëm të qëndrojnë për një javë në hapësirat e FCBEscola në Barcelonë”, ka shtuar Ahmeti duke mos treguar nëse dy të përzgjedhurit nga Kosova do të qëndrojnë përfundimisht në ‘La Masia’.
Në këtë konferencë për media, gjithashtu është bërë e ditur se kampi do të udhëhiqet nga trajnerët e akademisë së Barcelonës. Dy të përzgjedhurit do të testohen për një javë në ‘La Masia, dhe sipas Ahmetit, mbetet në duar të katalunasve nëse do t’i ndalin ata në Barcelonë.
‘FCBEscola Soccer Camp Kosovo 2016’ organizohet nga kompania EEK Capital Partners Group në bashkëpunim me Penya Kosovar del FC Barcelona dhe synimi kryesor është që ky kamp të bëhet tradicional. Për organizimin e këtij kampi thuhet se është marrë edhe pëlqimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.