Dy elemente, ashtu si te shumë krijues të tjerë, janë të pranishme në botën e tij artistike: vendlindja dhe fëmijëria. Ka fituar mbi tridhjetë shpërblime letrare për vjersha dhe tregime. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është botues i Shtëpisë Botuse “Ura” në Prishtinë. Jeton në Gjilan e punon në Prishtinë.
Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, kurse fakultetin në Prishtinë.
Është prezantuar në Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë, të përpiluar nga shkrimtari i njohur Odhise Grillo. Në konkurse të ndryshme letrare është fitues i shumë shpërblimeve për poezi, tregime dhe humoreska. Është editor i Shtëpisë Botuese “URA”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.
Botoi:
1. Legjendë e re, 1992
2. Natë mbi mua, 1994
3. Gjej e qesh, 1994
4. Pse iu kall mjekra gjyshit, 1995
5. Zvarranikët, 1995
6. Trimi më i madh në botë, 1999
7. Kalikuse kalikuse a ma gjen një nuse, 2000
8. Ëndërr me ëndrra, 2000
9. Feniksi nuk është ndryshe, 2000
10. Lavjerrësi i kohës, 2002
11. Histori për një dashuri, 2003
12. Lojë në Trojë, 2003
13. Nipi i Don Kishotit, 2005
14. Fuqia Hyjnore, 2009
———————————————————–
Cikël poetik nga Xhemë Karadaku
Xhemë Karadaku
E Bukura e Dheut
U harruan fjalët
Besa e dhënë mbeti peng
Kush e vodhi të Bukurën e Dheut
Nga zemra ime
Një zemërkeq
Me djajt kënaqet në aheng
Vetëm dy zemra mbeten jetime
Zogjtë heshtin
Nuk janë memecë e di
Të Bukurën e Dheut
E panë atë natë me hënë
Livadhit të blertë nuk u kthye
Orë e keqe
Diku mund ta ketë zënë
Natë mbi mua
Gjelat
Rrejshëm kakarisin
Në drita neonësh
Qentë
Në ëndrra kuisin
Për kulla babilonësh
E t(m)err i vdekjes
Bie natë mbi mua
Udhëtim monoton
Nga shtëpia posa del
E kupton se nuk i ke punët mirë
Rruga i ngjan kurvës plakë
Dredh vithet herë në të majtë
Herë në të djathtë
Kot kërkon alenë shpëtimtare
Anëve të saj të ndjekin gurë
Rrënjë lisash e therrash
Bërllog i hedhur nga veturat
Shishe birrash nga pijanecët
Reklama gjithfare nga kasnecët…
Udhëtim monoton
Të ndjek në jetë
Mbushur me vuajtje standarde
Kot kërkon alenë shpëtimtare
Ndoshta e gjen… në botën tjetër?
Pro (test) A
Protestoj rreptë
Me grushtin lart
Me sy të hapur
Me kokën ngritur
Me trup të zharritur
Protestë… pa cak
Për besë
Nuk ka asnjë adresë
Janë bërë pikë e pesë
Edhe ti proteston si unë
Me shpirtin furtunë
E di, sot e kemi kot
Nesër?
Nesër këndohet këngë tjetër.
Portrete lugetërish
Këto faca shkërdhata
Bëjnë politikë perverse
E shkërdhejnë ndërgjegjën
Pa prezervativë
E lënë me barrë vetveten
Përskaj varreve kurrë s’kalojnë
Ëndërrojnë pavdekshmërinë
E nuk e dinë se kanë vdekur
Portreti i tyre: lugat !
Buzëqeshjen e rrospive
E morën plagjiat
Ku mbeti e drejta e autorit?
Ndëshkim
Tri herë ndëshkim…
Për këta hajna modernë
A ka ligje, a ka shtet, a ka vesh?
Po, ka lesh…!
Aka Larencia
Mirë i njoh
Endrrat tua të egra
Oh ti nuk je grua
Ti je vetë shtriga
Në tokën e grurit je egjra
Në mëngjeset e lyera me gjak
Fëmijët të thërrasin nënë
Aka larencia
Ulur rri në prag
Kërthizën ta xigëlon xhelozia
Oborrit trupon
Duart pas shpine
Flokët jela
Të binë mbi vetulla
Aka larencia
Ti nuk je grua, ti je bushtër
Kot i ndreq vetes në ujë petulla
Nga ironia po vdes
Më flet me buzëqeshje
E më shanë me vete
Rrugës më shtron
Lule me erë
Me to mbulon një humnerë
Në mesditë
Në mbrëmje
Në mëngjes
Nga ironia po vdes
Mashtrim apo lojë e djallit
Krrokama të shumta
Gjumin ma prishën
Në lojën e zezë
Në mesnatë më grishën
Të bëhem nënë e shtrigave
Nënë e të ligave
Në lojën e zezë të djallit
Djersë të ftohta ballit
Rrëke gjaku fytyrës
Rrodhën
Detit të mëkateve
Dashurinë hodhën
Pykë ngela në mes të drurit
Kush i binte konopit
Kush hurit
Në lojën e fëlliqur
Kush thërriste
Rrethit të ferrit
Mejdani i ngjiste
Përrallë e antipërrallë
Lodhem nga kotësia
E përrallës
Terri mbuloi
Bardhësinë e syrit
Loti sumbull
Doli në cep të qepallës
Cilin çelës magjik
T’ia vë dryrit
Lodhem nga kotësia
E antipërrallës
Fjalët si gurë
Rrugëve shpërndahen
A jam leckë
A jam zjarr
A jam ujë
Zjarr e ujë
Në leckë a mbahen
Nga kotësia
E përrallës antipërrallës
Erë e rëndë tmerri
I ra krejt mëhallës
Në kulmin e shtëpive
Dolën kakureka
A do të vijë jeta
A do të vijë vdekja
Fatamorganë
Në heshtjen time ngjallem
Për zjarr zemre përmallem
Tek përmallem për sytë tu
Ti saharë unë nili këtu
Kaq kodra mes nesh
Dhe dielli sipër resh
Oh zemra ime ku më je
Unë nili ti saharë atje
Një pikë ujë ke mallë
Shpirtin ta mbash gjallë
Loja e nisur nën një hije
Kërkon lumë dashurie
I humbur do të dukem
Nga dheu një çast zhdukem
Rrugëve të nëntokës nis
Rrënjën e bimës ta ujis
Kërkimi i fëmijërisë
Kot kërkoj fëmijërinë
Në legjenda nuk e gjej
Është tretur në gurë
Në lule
Në kroje e lumenj
Në një skaj të livadhit
Një pjesë të saj rastis
Me ashklat e shkopinjëve
Që i gdhendja atëbotë
Me brisk
Kahdo kërkoj
Gjymtyrët e saj
Kokën plis
Duart lule
Shtatin arë
Zemrën lojë të pare…
Mashtrim optik
U lodhëm
Duke pritur ylberin
Me gisht të vogël
Ta prekim
Për një ylber
Shi e Diell
U dashkan përnjëherë
Kur shfaqet
Kalojmë kodrat
Me një hap
Dora kund s’e kap
Është mashtrim optik
Apo Frikë mos ka
Nga kjo prekje e vockël
Zë i ëmbël
Disi rri
Me veshë në krah
Një zë pres
Të vijë dikah
I butë
I ëmbël
I qetë
Po që të ngrit
Flokët përpjetë
I tëri rri në pritje
Dhe shpirtin
Mbaj në gatitje
Pres një zë
Një sinjal
Të ma bëjë zemrën mal
Rruga e lirisë
I shqetësuar jam
Në qetësinë time
I qetë
Në zjarrin që djeg
Ditët i bëj net
Netët ditë
Nga dhembja
Nga poshtërsitë
Në shtegun e lirisë
Me gjak
Të patharë ende
Yjet më përcjellin
Me udha mbarë
Hëna më pret
Me mirë se erdhe
Kurbeti
Dergjet malli në zemër
Nga sëmundja e sëmurë
Larg vetvetes
E larg tjetrit
Paravane në mes
Lumenj të tharë
Kodra të zhveshura
Ara të djerra
Deri në Itakë
Dergjet malli në zemër
Lëngon nga sëmundja
e Tokës
(Ah)Dheu AtDheu
Jetë qençe
Jetën po e jetojmë qençe
Nga sherri i qenve
Marrëzira të kohës
Kapërdijmë
Shkaku i të marrëve
Deri kur
Në një thes me djallin?
Liria
Të gjthë Lisat
I bashkova në Kodrinë
Ta vras robërinë
Më ra ndërmend Troja
Krejt Lisave
Degët ua bashkova
Në cep u duk Shqiponja
Terrin e zuri Droja
I bashkova sythat
E Degëve të Lisave në Pyll
Liria ndriti si Yll
Nata doli nga Loja…