Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në bisedë me Nefail Maliqin, gazetarin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare(ATA/ATSH) dhe “Presheva Jonë” në Gjenevë-Zvicër

 

Gjenevë, 8 Janar/ATSH-Nefail Maliqi/ – Diplomati portugez, Antonio Guterres nga sot është zyrtarisht sekretari i ri i OKB-së, post që deri tani mbahej nga Ban Ki Moon.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres thotë se ai dëshiron që viti 2017 të jetë një kohë kur “paqja do jetë kryesorja”, njofton Agjencia Telegrafike Shqiptare ATSH

Guterres, i cili nga sot zëvendëson Ban Ki-moon si shef i OKB-së, thotë se ai dëshiron të punojë në zgjidhjen e luftërave dhe konflikteve të dhunshme në shtete si Siria, Sudani Jugor, Jemeni dhe Burundi.

67 vjeçari Guterres, më parë ka punuar si Komisioner i Lartë i OKB-së për Refugjatët, një pozicion që e ka mbajtur për një dekadë. “Si mund t’i ndihmojmë miliona njerëz që janë të përfshirë në konflikte, duke vuajtur shumë nga lufta, pa ndonjë shenjë se atyre po iu vjen fundi?”, shtron pyetjen ai.
Ish kryeministri portugez shprehet se ai dëshiron që bota të ketë një dëshirë për Vitin e Ri, vendosjen e paqës si gjënë kryesore. “Paqja duhet të jetë qëllimi dhe udhërrëfimi ynë”, nënvizon ai, ndërsa shton se “gjithçka që ne kërkojmë si njerëzim – dinjiteti, shpresa, progresi dhe prosperiteti – varen nga paqja”.

Antonio Guterres në Preshevë për emigrantët dhe dialogun Prishtinë-Beograd

Presheva është qyteti i parë shqiptar që ka vizituar shefi i ri i OKB-së në kohën kur ai ishte në krye të UNHCR-së. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, shefi i ri i OKB-së në bisedë me gazetarin e ATSH-së dhe “Presheva Jonë”, në Gjenevë, Nefail Maliqin bisedoi për Kosovën dhe shqiptarët. Guterres vlerësoi lart mikpritjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës, bujarinë dhe solidaritetin e popullatës me refugjatët.

Diplomati Guterres duke folur për situatën e pas luftës në viset ish-jugosllave dhe përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të vënë paqen dhe sigurinë në Kosovë, pohoi se “proceset në Kosovë kanë avancuar mirë”. Por tani, vijon ai, prioritet për qeverinë mbetet lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe papunësisë. Këto dukuri janë edhe shqetësime tona.

Ish-Komisari i Lartë i OKB-së për Refugjatët, António Guterres gjatë qëndrimit të fundit në Gjenevë, ftoi Beogradin dhe Prishtinën të zgjidhin problemet politike, për të zgjidhur çështjen e të të zhvendosurve dhe refugjatëve në Kosovë.

Biografia e shefit të ri të OKB-së António Manuel de Oliveira Guterres

guterrrredAntónio Manuel de Oliveira Guterres shërbeu si Komisioner i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë nga qershori 2005 deri në dhjetor 2015, në krye të një prej organizatave më të shquara të botës humanitare me gati 10.000 punonjës në 125 vende.

Gjatë qëndrimit të tij, ai drejtoi një reformë të thellë strukturore të UNHCR-së, duke reduktuar personelin në selinë e saj në Gjenevë me mbi 20 për qind , duke rritur efektivitetin e kostos dhe për t’iu përgjigjur emergjencës kapacitetin e organizatës. Vëllimi i aktiviteteve të UNHCR-së u trefishua gjatë kohës së tij në detyrë, pas futjes së një qasjeje të buxhetimit të bazuar në nevoja, dhe një rritjeje të numrit të personave të zhvendosur nga konflikti dhe persekutimi, nga 38 milionë në vitin 2005, në mbi 60 milionë në 2015.

Gjatë kohës kur ai ishte në këtë detyrë, u shënua nga disa prej krizave më të mëdha të zhvendosjes në dekada, nga konfliktet në Siri dhe Irak, por edhe krizat në Sudanin Jugor, Republikën e Afrikës Qendrore apo Jemen.

Përpara se t’í bashkohet UNHCR-së, Guterres ka kaluar më shumë se 20 vjet në qeveri dhe në shërbimin publik. Ai shërbeu si kryeministër i Portugalisë nga viti 1995 deri në vitin 2002, ku gjatë kësaj kohe ai ishte i përfshirë shumë në përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Timorin Lindor.

Si president i Këshillit Evropian në fillim të vitit 2000, ai udhëhoqi miratimin e “Axhendës së Lisbonës” e dhe bashkë-kryesoi samitin e parë, Bashkimi Evropian-Afrika. Ai ishte anëtar i Këshillit të Shtetit portugez nga viti 1991 deri në vitin 2002. Nga viti 1981 deri 1983, Guterres ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe gjatë kësaj kohe ai u zgjodh edhe kryetar i Komisionit për Demografinë, Migrimin dhe Refugjatët.

Guterres ka lindur në Lisbonë në vitin 1949 dhe u diplomua inxhinier në ‘Instituto Superior Tecnico’ . Ai flet rrjedhshëm portugalisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht. Guterres është i martuar dhe ka dy fëmijë./a.gjonaj/ /a.g/

SHPËRNDAJE