Disa ditë pasi në media doli një fotografi e një grupi ushtarësh shqiptarë në ushtrinë e Greqisë, që me duar kishin bërë simbolin e shqiponjës, dhe e cila ngjalli reagime të ashpra si nga publiku grek, ashtu edhe nga politika atje, është shfaqur edhe një foto tjetër.
Në foton e re, të publikuar nga mediat greke, shihet një ushtar me uniformë të ushtrisë greke, që dyshohet të jetë shqiptar dhe me duar, sikurse dhe shokët e tij, bën simbolin e shqiponjës, transmeton Koha.net.
Mediat në Greqi, këtë rast e kanë quajtur “një incident të ri të nacionalizmit shqiptar në forcat e armatosura greke”.
Incidenti, sipas “Themanews”, raportohet të ketë ndodhur në njësitin e Forcave Helene në Qipro (ELDYK) dhe foton ushtari e ka postuar në mediat sociale.
Sipas këtij mediumi, incidenti i parë ka nxitur nisjen e hetimeve ndaj rastit si dhe është kërkuar dënim deri në 5 vjet burgim.