Gjatë natës policia ka vijuar operacion për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në grabitjen e dy autoblindave të bankave në rrugën e Rinasit. Sot në mëngjes policia njoftoi se “në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë amerikanë, australiane, kanadeze si dhe Euro”.
Ndërsa, në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarësh.
Kontrollet kanë vijuar në disa banesa, hotele e lokale në Prezë, Vorë, Farkë, në Vlorë, Lushnje etj.
Operacioni vijon qoftë për gjetjen e provave të tjera materiale ashtu edhe për kapjen e personave të përfshirë në këto ngjarje, tha policia.