Pacolli premton dyfishim të buxhetit të Kosovës

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se varfëria është armiku më i madh i Kosovës.

Në Kongresin IV Zgjedhor të kësaj partie Pacolli është shprehur se partia e tij ka plane për ta zbutur varfërinë në vend. “Armiku më i madh i Kosovës është skamja, e cila shpeshherë na pengon të jemi të lirë. AKR-ja është partia me program të qartë. AKR-ja është hartuar për ta luftuar varfërinë”, ka deklaruar Pacolli. Ai ka thënë se partia që drejton ka plane konkrete se si ta luftojë varfërinë. “Unë besoj se tani në Kosovë ka ardhur koha për liberalizim të vërtetë. Të qenit liberal nuk lidhet me fisnikëri ndaj ndonjë ideologjia, por me dashurinë për lirinë dhe barazinë. Ne kemi diçka të shenjt, e kemi rininë e do të punojmë për Kosovës, që në një mënyrë ose në tjetër të krijojmë një perspektivë”, ka theksuar Pacolli, duke shtuar se AKR-ja ka vetëdije të ecë përpara. “Ne kërkojmë ndryshimin, kërkojmë barazi për qytetarët tanë, ne kërkojmë barazi për çdo kund dhe për secilin”, është shprehur ai. Pacolli ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka premtuar se do t’i dyfishojnë të hyrat e Kosovës dhe do ta reformojnë administratën, duke vendosur njerëz profesionistë, ndërsa TVSH-ja do të përshkallëzohet. “Ne do t’i rrisim të hyrat buxhetore minimum dy herë dhe do t’i dyfishojmë të hyrat. Po ashtu do ta reformojmë administratën publike, duke i zëvendësuar ata me njerëz profesionit”, ka thënë Pacolli.

Në këtë Kongres të AKR-së ishin të pranishëm edhe përfaqësues të partive tjera politike.

AKR-ja më 20 shkurt ka mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake, në të cilat mbi 40 mijë anëtarë të strukturave të saj kanë votuar për zgjedhjet e brendshme, me ç’rast Behgjet Pacolli është rizgjedhur edhe për një mandat të ri lider i AKR-së.

 

SHPËRNDAJE