Preshevë, 15 mars – Të mërkurën kanë filluar një varg akuzash ndërmjet liderëve të partive politike (PVD-së dhe APN-së) preshevare që deri dje ishin në koalicion të qeverisjes lokale të komunës së Preshevës. Derisa Riza Halimi shpalos për herë të parë shkaqet e prishjes së koalicionit me APN-në, duke potencuar se ish-prefekti i Preshevës, Shqiprim Arifi bëri seri skandalesh me veprimet e tija autoritare, Arifi i dërgon selam Halimit se ky është fillimi për ne, kurse fundi për ata! Duke vlerësuar njëkohësisht se “Shpëtimi” i PVD-së së Riza Halimit i trumbetuar në fushatën parazgjedhore në vitin e kaluar është shfaqur dhe faktizuar si vazhdim i pushteteve të kaluara destruktive”, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”..
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Riza Halimi në një emisionin të RTV “Presheva” për herë të parë ka folur për shkaqet e prishjes së koalicionit me APN-në. Sipas Halimit APN që në fillim të qeverisjes kishte thyer parimet e marrëveshjes duke dhënë sinjale se do të ketë shumë vështirës në funksionimin e koalicionit. Halimi tha se PVD prapë kishte gatishmëri që të funksionoj partneriteti, por APN vazhdonte të vepronte në kundërshtim të marrëveshjes duke thyer ligjshmërinë, profesionalizmin dhe depolitizimin. Ndërkaq, sipas Halimit, hapi tjetër ka qenë zgjedhja e zv/drejtorit të shtëpisë së shëndetit, që sipas tij në fillim të marrëveshjes ky post nuk ishte paraparë për APN-në. Por kulminacioni i këtyre problemeve sipas kreut të PVD-së ishte arritur me publikimin e komunikatës së APN-së për ofrimin tre këshilltarëve nga subjektet politike . Halimi është shprehur se kryetari Shqiprim Arifi, PVD-në nuk e kishte përfillur edhe në hartimin e buxhetit për vitin 2017, por dhe këmbëngulësia për shuarjen e OKF, RTV Presheva dhe Fondit humanitar. Halimi, po ashtu ka potencuar se veprimet e kryetarit të APN-së ishin autoritare, duke zhvilluar paralelisht edhe fushatë parazgjedhore, e në anën tjetër duke injoruar kryetaren e kuvendit dhe zv/kryetarin e komunës, sidomos në takime zyrtare. Problem tjetër ka qenë edhe binjakëzimi i komunës së Preshevës me komunat në Turqi, që sipas Halimit ishte penguar iniciativa e parë e zv/kryetarit të komunës. Ndërsa sa i përket buxhetit ai ka thënë se propozimet e PVD-së nuk ishin marrë parasysh, duke hartuar kështu një buxhet të fryrë për poena politikë, duke ditur që mjetet nuk ishin të siguruara. Halimi, thekson në RTV “Presheva” se ish-kryetarit i Preshevës nuk ka marrë për bazë sugjerimet e PVD-së, ku në ndërkohë ka plasur edhe skandali me rrugën e Karposhit projekt për të cilin dyshohet për keqpërdorime, por këtë pritet ta vërtetojnë organet kompetente. Kreu i PVD-së, po ashtu ka theksuar se ish-kryetari Shqiprim Arifi nuk kishte përfillur as anëtarët e këshillit komunal nga radhët e PVD-së, duke sjellë vendime të njëanshme, sidomos dokumentin për planin aksional të emigrantëve, pikë kjo që duhej të adresoj në kuvend. Në fund kryetari i PVD-së ka folur edhe për tërheqjen e investitorit SOLID nga Suhareka, duke theksuar se pas rishikimit të marrëveshjes do të sqarohet edhe ky rast për opinion pasi sipas tij edhe pushteti i tanishëm do të krijojë po ato kushte për atë investitorë. Ndërkaq, Shqiprim Arifi i dërgon selame PVD-së: Ky është fillimi për ne, kurse fundi për ATA! Ish-kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi përmes një postimi në profilin e tij në facebook i dërgon selam Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, i cili ka falënderuar përkrahësit për mbështetjen e dhënë duke thënë se ky është fillimi për ne, kurse fundi për ATA (PVD-në). “Shpëtimi” i PVD-së së Riza Halimit i trumbetuar në fushatën parazgjedhore në vitin e kaluar është shfaqur dhe faktizuar si vazhdim i pushteteve të kaluara destruktive”, ka vlerësuar Arifi. Kjo është deklarata e plotë e Shqiptim Arifit drejtuar ish-partnerit të koalicionit në Preshevë, PVD-së: Të nderuar e të dashur qytetarë, miq dhe dashamirë, Ashtu si ju, të gjithë edhe ne ndjehemi keq për manovrimet politike të partive të vjetra në komunën tonë ditëve të fundit. Ndjehemi keq për faktin që kanë ndodhur në një kohë ku shumë projekte të ndryshme kanë qenë në prag të fillimit për t`u realizuar dhe ndjehemi keq për arsye se ashtu si Ju edhe ne e përjetuam këtë akt si një tradhti politike. Kjo që ndodhi javën e kaluar nuk është rastësi apo rezultat i “keq-qeverisjes” siç duan ta kamuflojnë në mënyrë flagrante dhe tendencioze tani “pushtetarët” aktual. Kjo që ndodhi është planifikuar me muaj të tërë dhe synimin kryesor e kanë pasur interesat e ngushta personale dhe grupore dhe që të stopojnë menaxhimin e suksesshëm të pushtetit lokal, duke eliminuar tendero-maninë dhe hajninë dhe duke fokusuar në projekte dhe bashkëpunim rajonal në interes të qytetarëve. “Shpëtimi” i PVD-së së Riza Halimit i trumbetuar në fushatën parazgjedhore në vitin e kaluar është shfaqur dhe faktizuar si vazhdim i pushteteve të kaluara destruktive. Mospërfillja e votave dhe rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2016 është shkelje e rënde e vullnetit të qytetarëve të Komunës së Preshevës si sovran i pakontestueshëm. Politikanët e vjetër këtë tendencë, qe nënkuptonte gjithashtu edhe shuarjen afatmesme apo afatgjate të këtyre partive me mentalitet komunist, e kanë pranuar si kërcënim direkt ndaj interesave të tyre. Dekada dhe vite me radhë, këto parti kanë manipuluar popullatën tonë dhe tani prapë mundohen të bëjnë të njëjtën. Por kësaj radhe, gënjeshtrat tendencioze dhe manipulimet amatore, ju i dashur popull i Luginës së Preshevës, i keni thënë STOP. Për këtë jam krenar me Ju! Për këtë NDRYSHIMI do vazhdoj! Për këtë së bashku me ju do të ndryshojmë/pastrojmë në vazhdimësi skenën politike nga komunistët, kancerët dhe tradhtarët e proceseve zhvillimore dhe perspektivë-dhënëse për popullin tonë në përgjithë, si dhe për rininë në veçanti!! Ju faleminderit për mbështetjen. Ky është fillimi për ne, kurse fundi për ATA! Krenar me JU! Me shumë respekt dhe dashuri, Shqiprimi. Metali Krasniqi