Janë bërë gati dy muaj nga rrënimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës, i cili ishte ndërtuar ilegalisht nga autoritetet lokale të Mitrovicës veriore. Në vend të këtij muri, është ndërtuar një strukturë mbrojtëse në zonën e këmbësorëve me qëllim që të mos lejohet hyrja e asnjë lloj automjeti. Qeveria Thaci-Mustafa pas liberalizmit, ushtrisë, librave, diplomave edhe nje mashtrim me murin ne Veri ?!, shkruan agencia lajmeve “Presheva jonë”
Sipas opozitës, çështja e murit ndodhi me qëllim të mbulimit të dështimeve të Qeverisë së Kosovës, derisa pozita vazhdon të mendojë, se pas rrënimit të murit po vazhdojnë të respektohen ligjet e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me “rrëzimin e murit në Mitrovicë janë respektuar ligjet e Kosovës…” por ai sot e kesja dite esdhte aty ne kembe qe ndane Kosovën?!
“Tanimë nuk kemi muri. Kemi lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, kemi doganierë dhe Policinë e Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, kemi edhe integrimin e strukturave të mëhershme që kanë qenë barrikaduese në institucionet e sigurisë së Kosovës, në polici. Kemi integrime edhe në FSK e gjithashtu edhe në sistemin e drejtësisë. Kështu që, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë graduale por të suksesshme. Në veri mbetet të bëhet edhe më tepër. Definitivisht po, edhe zgjedhjet lokale të komunitetit serb, që janë mbajtur mbi parimin e respektimit të ligjeve të Kosovës, të Kushtetutës së Kosovës dhe pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhjet nacionale, ka qenë sipas Kushtetutës, normave, standardeve dhe ligjeve kosovare, kështu që mendoj edhe në veri ka ndodhur progres i madh”, ka thënë Thaçi gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”.
Qeveria po mbulopn dështimet?
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka thënë, se me qëllim të mbulimit të dështimeve qeveria e Kosovës ka krijuar tema artificiale lidhur me bisedimet me Serbinë.
“Qysh nga formimi i kësaj koalicioni qeverisës ka prodhuar tema artificiale shumica të lidhura me bisedimet me Serbinë me qëllim që t’ i mbulojë dështimet e saj në zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës”, ka thënë Pantina për “Bota sot”. Po ashtu, Pantina ka thënë se çështja e murit në Mitrovicë është lënë në harresë. “E tillë ishte edhe çështja e murit në Mitrovicë që fillimisht u bë temë ditore këtu në media mandej temë bisedimesh në Bruksel e tash u la në harresë”, ka thënë Pantina.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Mitrovicë, Esat Peci ka thënë për “Bota sot”, si gjithçka tjetër edhe çështja e murit është jo transparente dhe se askush me saktësi nuk e di se si ka ardhur deri te ndërtimi i murit, kush e ka lejuar, sepse ai muri nuk është ndërtuar për një orë.
“Problemi qëndron te projekti i rivitalizimit të urës. Ura që nga ndërtimi ka pas 4 korsi. Tani i ka dy dhe ato të ngushtuara në dy skajet. Pikërisht revitalizimi i urës në këtë mënyrë dhe mbyllja e sheshit në veri e ndan Mitrovicën përfundimisht, sepse përmes urës kryesore mund të shkohet në Suhodoll dhe në mëhallën e boshnjakëve, por jo edhe në veri. Në pjesën veriore janë ndërruar rrugë, një kahorë me qëllim të pengimit të lëvizjes së lirë, sepse ato janë rrugë të ngushta që nuk lejohen të ndërtohen, nëse bazohemi në normat ndërtimore bashkëkohore”, ka thënë Peci për “Bota sot”.
Më tej, Peci i cili është specialist i infrastrukturës ka shpjeguar, më saktësisht për të gjitha rrugët një kahore që e lidhin veriun me rrugën e Suhodollit e kanë kahejenë nga veriu në jug.
“E vetmja rrugë, që e ka nga jugu në veri është në lagjen e boshnjakëve që do të thotë se për të shkuar nga Suhodolli për te spitali në veri duhet të kalohet një rrugë me gjatësi 5 km e që në të vërtet gjatësia e rrugës do të duhet të ishte 500 metra”, ka thënë Peci. Ai beson, se e gjithë kjo është bërë me qellim që të bllokohen rrugët sa herë që ju konvenon serbëve.
“Unë nuk e kam të qartë, se si është e mundur që institucionet qendrore të Kosovës dhe lokale në Mitrovice e kanë nënshkruar një projekt të tillë pa e konsultuar asnjë ekspert të fushës se urbanizimit dhe planifikimit hapësinorë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka thënë se edhe muri i më hershëm edhe ku i tashmi janë pengesë për lëvizjen dhe furnizimin e lokaleve në sheshin.
“Kjo pengesë është ndërtuar me qëllim që lokalet e veriut të mos furnizohen me mall nga jugu”, ka përfunduar Peci.
Ndryshon strategjia për murin
Ndërsa Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani ka thënë, se është zgjedhur një strategji tjetër nga muri i parë që ishte ndërtuar, tani është duke u punuar një rreth rrotullim mbi 1. 5 metra.
“Sa i përket murit matanë urës së lumit Ibër, përkatësisht në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, murit që sipas udhëheqjes së Kosovës dhe mediave, muri që ishte ngritur më herët është rrënuar, por tani kanë zgjedhur një tjetër strategji, rreth rrotullimi që është duke u punuar në atë pjesë të qytetit, është ngritur prej nivelit të rrugës ekzistuese mbi 1. 5 metra, ndërsa muri i ri, që tani pjesa serbëve janë duke e ngritur është i një trashësije mbi dy metra, ndërsa lartësia do të shkoj mbi atë lartësinë që ka qenë më parë, me ngritjen e rreth rrotullimit.
Tani lartësia e murit, që është duke u ngritur edhe nuk do të duket shumë e lart, por në fakt do të jetë mbi dy metra lartësi”, ka thënë Barani për “Bota sot”.
Ndërkaq, sa i përket, se a po respektohen ligjet e Kosovës, Barani ka thënë, se nuk po respektohen fare pasi që në Mitrovicë, respektohen vetëm ligjet e Beogradit. “Ashtu si janë duke u kryer punimet matanë ure, rreth murit besoj, se fare nuk janë duke u respektuar fare ligjet e Kosovës e as që bëhet fjalë për ato ligje në pjesën e okupuar sepse matanë ure ,janë në fuqi dhe respektohen vetëm ligjet e Beogradit dhe atë në çdo segment, jo rrallë edhe deklarohen udhëheqës të ndryshëm serbë, te cilët i marrin paga nga buxheti i Kosovës, përkatësisht nga taksapaguesit shqiptare e punojnë për Beogradin dhe se deklarohen haptas se nuk i njohin ligjet e Kosovës”, ka thënë Barani.
Në fund, ai ka thënë, se është lënë në heshtje nga udhëheqësit e Kosovës, pasi që muri po vazhdon të ngritët.
“Pra muri u la në heshtje, por jo edhe nga serbet por vetëm nga ata që deklaruan se do të respektohen ligjet e Kosovës, pra në heshtje u la nga udhëheqja e Kosovës, nga shqiptarët. Muri vazhdon të ngrihet”, ka përfunduar Barani. Lidhur me këtë temë “Bota sot” ka kontaktuar me Ministrin e Dialogut të cilët kanë sugjeruar që t`i drejtohemi Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që ata janë kompetent për këtë çështje, por më këtë të fundit nuk kemi mundur që të komunikojmë.