Kryetari i AAK-së Ramush Haradiaj ka deklaruar para mijëra qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”, se shqiptarët gjithnjë do të mbrohen ndaj atyre që sulmohen, ndërsa kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij e ka parë si thirrje për luftë.

Mijëra qytetarë ishin mbledhur të enjten mbrëma për të pritur ardhjen e ish-kryeministrit të Kosovës, njëherësh kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga Franca, ku sot është liruar nga gjykata franceze në Colmar.

Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar të këtij viti nën akuzat për kinse krime lufte, sipas një urdhër arresti të Serbisë. Pas lirimit, Haradinaj ka arritur në Prishtinë, ku në sheshin “Zahir Pajaziti” ishin mbledhur për ta pritur ardhjen e tij mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova.

Kreu i AAK-së dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit i falënderoi qytetarët për pritjen e organizuar, duke thënë se sot gjendet në Prishtinë, pas një periudhe jo të shkurtë falë fuqisë së tyre dhe se ai edhe njëherë ishte ndjerë si pa shtet dhe se institucionet e Kosovës nuk kishin qenë në nivelin e tyre në lidhje me rastin e tij në Francë.

 

Haradinaj: Ftesa për ekstradimin tim në Serbi është thirrje për luftë

“Për fat të keq edhe njëherë si dikur u ndjeva pa shtet. Institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre. Por, po ju tregoj, e thashë hapur se ftesa ose ideja që unë me u ekstraduar në Serbi është thirrje për luftë. Pse kam thanë kështu? Nuk jam tallë as nuk kam bo hajgare, por e kam thanë përnjëmend. Më 24 mars 98, po këta, Vuçiqi, Daçiqi, babai i tyre Millosheviqi, e makina e tyre vrastare na ka sulmuar në familje në Gllogjan e aty kanë qenë edhe fëmijët e vegjël. Ka pasur fëmijë nën 1 vjet. Kanë provuar me na vra të gjithëve. Janë po këta njerëz.  Vucici, Dacici, baba i tyne Milloshi. Këta janë kriminelë, këta kanë bo krime në Kosovë. Fati i luftës e ka dashtë që atë ditë na mos me përfunduar si ata. Për këtë kam thanë që oshtë shpallje e luftës dhe për këtë kam thanë që ua bëjmë ma zi se në atë kohë,” tha Haradinaj.

Haradinaj foli para qytetarëve edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se askush nuk mund të pohojë se shqiptarët janë kundër miqve vetëm pse nuk lejojnë ndryshimin e kufirit.

Takim i Haradinajt me Anitën dhe tre fëmijët, Gjinin, Hanën dhe Trimin

Haradinaj: Nuk jemi kundër miqve

“A e dini që unë kur them që kufiri është në Çakorr, e është në Kullë, a e dini sa pak jam kah them? A e dini sa tokë të shqiptarëve na ka marrë Mali i Zi e na ka marrë Serbia. Gjysma e popullit të Kosovës i ka mbiemrat prej Toplicës e andej. Në këtë tokë këtu janë shpërngulë. Me thanë që nuk i japim mall Malit të Zi, Serbisë dhe asnjë fqinji. Nuk jemi kundër miqve. Mos të mendojë dikush nëse mund t’u thotë shqiptarëve se jeni kundër miqve se s’po lejon me ra kufiri në fuqi. Jo, duhet me ua tregu vendin edhe të nënshtruarve tanë se na morën në qafë, na banë hor. Nuk e them këtë që duhet me ua tregu vendin të nënshtruarve tanë për ndonjë lakmi, po e them prej zorit se qe ku na kanë pru. Që janë shkaktarë se që dy vjet jonë bllokuar se s’po guxojnë me thanë që kemi gabuar, që kufiri është gabim. Duhet me ndërruar këtë vend, s’mundemi kështu. Duhet me vendos a dëshirojmë të bëjmë shtet, a dëshiro jmë për të bërë ushtri, ekonomi si i ka hije,” tha ai.

Ish-kryeministri i Kosovës ka theksuar se shqiptarët janë popull i vjetër dhe se respekton të tjerët, por nëse sulmohet atëherë do të mbrohet.

Haradinaj: Do të mbrohemi çdoherë nëse dikush na sulmon

“Kush ka jetuar me shqiptar kurrë nuk ka pësuar, asnjë komunitet, kur ka jetuar me shqiptarët as në kohërat më të vështira nuk ka pësuar, këta janë shqiptarët që janë popull i vjetër dhe i respektueshëm, ai që na donë ne e duam, ai që na respekton ne e respektojmë, ai që na ndihmon ne e ndihmojmë, por ai që na sulmon, do të mbrohemi gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj është pritur në aeroport, pos zyrtarëve të AAK-së, edhe nga bashkëshortja e tij, Anita me tre fëmijët, Gjinin, Hanën dhe Trimin. Në fakt kjo familje sot kishte dy gëzime, sepse sot ishte edhe ditëlindja e djalit të tyre, Gjinit.

SHPËRNDAJE