TIRANË, 27 Shtator/ATSH/By Klotilda Saracini – Kryeministri Edi Rama priti sot kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nisi sot vizitën zyrtare në Tiranë.
Pas ceremonisë ushtarake të mirëseardhjes të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, dy kryeministrat Rama dhe Haradinaj zhvilluan një takim mes tyre, si dhe takimin dypalësh mes delegacioneve.
Axhenda vijoi me mbajtjen e Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Kryeministri Edi Rama tha se “Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut duhet të shërbejë si themeli i një qasje të re të domosdoshme të imazhit që përçojmë në botën që na rrethon.
Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, u shpreh Kryeministri Rama do të nis me mbledhjen e dy qeverive në 27 nëntor të këtij viti dhe do të përmbyllet me samitin e dytë të Diasporës nëntorin e 2018-ës, në të cilin do të bëhet edhe prezantimi i atyre ç’ka ne kemi arritur të bëjmë për shqiptarët jashtë dy vendeve tona.
Kryeministri Rama informoi se Komisioni do të ketë një kuadër pune të përbashkët nën kujdesin simbolik të dy Presidentëve , Meta e Thaçi , ndërsa pjesë e tij, do të jetë edhe një tryezë ku do të përfshihen autoritete të larta të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe autoritete të zgjedhura të Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës e mendje të mbara të botës sonë akademike e universitare pa kufi.
Fokusi kryesor gjatë këtij Viti, theksoi Kryeministri Rama do të jetë regjistrimi i plotë i shqiptarëve dhe jetësimit i të drejtës së votës, si një e drejtë vendimmarrëse. Kosova, tha ai këtu ka ecur më shpejt dhe duhet të shihet si një model për t’u marrë shembull prej nesh.
Rama theksoi se duhen gjetur rrugët për të afruar të gjithë ata shqiptarë që janë lindur, shkolluar dhe janë të suksesshëm në Europë e Amerikë, si dhe tu qasemi bashkarisht atyre në funksion të forcimit të një lidhjeje të rëndësishme që nuk mund ta lëmë të tretet nga pamundësia e kontakteve.
Kreu i qeverisë, Rama tha se është po ashtu e nevojshme hapja e rrugës së krijimit të një institucioni të një akademie shqiptare ku mendjet e ndritura të kombit tonë, të jenë së bashku në një çati në funksion të atyre vlerave e trashëgimie gjuhësore e kulturore që nuk mund ta lëmë të bjerret, por duhet ta nxisim e promovojmë si një vlerë e pandashme e rrugës sonë në çdo aspekt.
“Dy qeveritë e dy shteteve shqiptare duhet ta konsiderojmë seriozisht kërcënimin që i bëhet gjuhës shqipe dhe domosdoshmërinë që ne t’i bëhemi mburojë kësaj arritjeje të jashtëzakonshme e të pakrahasueshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj në fjalën e tij theksoi se “Kosova ka një rrugë të vështirë të gjithë etapave të saj por çdo herë e ka ndjerë që nuk është vetëm në çdo etapë të rrugëtimit të saj, edhe ne momentet më të vështira nuk ka mbetur vetëm, populli i Shqipërisë, bashkëkombasit tanë kanë qenë me ne në çdo kohë”.
“Është e vërtetë që Kosova është shumë e përgjegjshme ndaj komuniteteve që jetojnë në vend, bashkëjetojnë me ta është një histori e gjatë e respektit ndaj komuniteteve. Sot Kosova e ndjen përgjegjësinë e saj si shtet i ri, por edhe e ndjen po ashtu pjesën e punës, e detyrimeve që ka për çështjet shqiptare dhe për shqiptarët kudo që janë”, nënvizoi Haradinaj.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi se Kosova e shikon mundësinë e përparimit përmes forcimit të lidhjeve me Shqipërinë.
“Na vjen shumë mirë në këtë mbledhje na jepni mundësinë të jemi bashkë në një vit të angazhimeve të përbashkëta, vit që lidhet me figurën që më së shumti e përherë na ka bërë krenarë Gjergj Kastriot Skënderbeu”, u shpreh Haradinaj.
Sipas tij, pasi të përmbyllet ky vit mund të dëshmojmë që kemi vepruar në të mirë të shqiptarëve kudo që janë.
“Ne çdo herë nuk kemi munguar dhe jo vetëm të kontribuojmë, por edhe të sigurojme të gjithe bashkëkombësit tanë, jo vetëm në atdheun tonë e trojet por edhe të shpërngulurit, diasporën, ta ndjejmë njeri tjetrin më afër dhe të gjitha gjërat që ndodhin të jenë në dobi të gjithsecilit”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj u shpreh se jam i sigurtë që kujdesi ose interesimi për bashkëkombësit që jetojnë në diasporë ti bëjë ata dhe fëmijët e tyre ta ndjejnë më shumë atdheun, edhe mund të kemi nga ata një krah të fortë në të gjitha sfidat që kemi duke filluar nga ato ekopnomike pasi kemi papunësia në Kosovë ëhstë e madhe, si dhe për të gjitha sfidat që na presin.
“Meqënësie është takimi parë, rrugëtimi ynë gjatë këtij viti fillon me mbledhjen e qeverive në Korçë, për të cilën kemi ende edhe pak kohë për të bërë gati axhendën. Ju falenderoj për temat që përmendët dhe shpresojmë t’i përmbyllim që t’u bëjmë të ditur qytetarëve tanë për arritjet tona”, përfundoi Haradinaj .
Kreu i qeverisë kosovare do të pritet në takim edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Kjo është vizita e parë e Haradinaj në Tiranë, pas marrjes së detyrës në 9 shtator, ku deputetët e Kuvendit votuan me 61 vota pro dhe 1 abstenim qeverinë e re të Kosovës të drejtuar prej tij./k.s/ /a.gj/ /a.g/