Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për këto çështje ata thonë se duhet të vendosin Kosova dhe Shqipëria. Ndërsa sa i përket pushtetit në Serbi, përfaqësuesit e shqiptarëve të këtij rajoni thonë se “vetëm qimen e kanë ndërruar, por jo edhe zanatin”, athnëkryetari komunës së Preshvës Ragmi Mustafa për gazetën “Zëri”.
Këto komente, në emër të shqiptarëve të Luginës.. i bëri Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës, gjatë një vizite që ai i bëri Prekazit, në nderim të heroit legjendar Adem Jashari.
Mustafa tha për “Zëri” se qeveria në Beograd nuk e ka ndryshuar mendjen, është e njëjta e kohës së diktatorit Sllobodan Millosheviq, por që tani sillet me metoda më të moderuara dhe me dinakëri.
“Beogradi është ai i kohës së Millosheviqit, nuk ka ndryshuar mendje. Kujtoj se Beogradi sillet edhe më tutje, fatkeqësisht me një dinakëri, siç është sjell edhe vite të tëra përpara”, tha Mustafa, duke u shprehur skeptik për implementimin e marrëveshjeve Prishtinë-Beograd.
Ndërkaq duke i komentuar idetë për këmbim territoresh dhe për mundësinë që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës, i pari i Preshevës tha se këso idesh kanë qarkulluar edhe më përpara.
“Nuk janë këto ide të para, këto ide kanë qarkulluar edhe më herët, por megjithatë, ne shqiptarët në Luginën e Preshevës presim me çdo kusht që për ide të tilla më përpara të vendosin autoritetet qeveritare dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës. Ato janë pa dyshim në cilësinë e autoriteteve zyrtare që do të vendosin për sovranitetin e tyre mbi tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç tha më tej Mustafa, janë në gjendje të pritjes për çdo sinjal pozitiv që është në favor të tyre, e që vjen nga autoritetet, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.
“Pa dyshim të gjitha këto mund të kurorëzojnë me një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, si të SHBA-ve ashtu edhe të vendeve të Evropës”, theksoi Mustafa, i cili ripërsëriti rëndësinë e një projekti për këmbim kombëtar të mallrave, të iniciuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit e Republikës së Kosovës dhe e mbështetur edhe nga Oda Ekonomike Veriperëndimore e Maqedonisë dhe e komunave Preshevë dhe Bujanoc. K. Gecaj