Quhet: Bilall Maliqi, shkrimtar nga Presheva. Ky krijues i dalluar i pendës, gjer më tani ka botuar njëzetë e nëntë vepra të zhanreve të ndryshme letrare, duke filluar në poezi për të rritur, për fëmijë, prozë për fëmijë, aforizma, libër publicistik dhe me vështrime letrare. Mirëpo, fahu i tij është poezia për të rritur dhe për fëmijë, të cilën e shkruan dhe e kultivon me dëshirën më të madhe. Andaj, shfrytëzuam rastin dhe i bëm disa pyetje, ai na u përgjigj pa hezitim.

Nga cila kohë keni filluar të merreni me shkrime?

-Me shkrime kam filluar të merrem herët, nga shkolla fillore. Si i ri kam bashkëpunuar me gazeta ditore, por kam botuar rrallë, sepse atë kohë ka pasur kritere të ashpra, së pari për botime të vjershave nëpër gazeta ditore që dilnin në Kosovë e gjetiu, e për botime librash mos të flasim. Poezitë kalonin nëpër një filtrim të rreptë para se t’u botonin libra. Prandaj, konsideroj që ajo kohë ishte kohë e ndritshme e letërsisë. Tani po botohen libra pa i plotësuar kriteret bazë të një libri të botueshëm. Pra, po dalin botime sikur kërpudhat pas shiut. Nëpër gazeta po ashtu po botohen poezi e shkrime të zhanreve të ndryshme letrare, pa iu nënshtruar ndonjë redakture, gjë që me këtë bie në një masë të madhe serioziteti i asaj gazete, i stafit redaktues etj. Pra, këto libra që dalin e që nuk iu nënshtrohen një redakture dhe një lekture të mirë, lëre që nuk i bëjnë nderë autorit, por e dëmtojnë edhe letërsinë shqiptare, sepse ato libra i lexojnë brezat e rinj dhe në raftet e bibliotekave tona qëndrojnë tok me librat që kanë vlera të qëndrueshme artistike dhe letrare.

Siç dihet, jam autor i njëzetë e nëntë veprave të zhanreve të ndryshme letrare, duke filluar në poezi për të rritur, poezi për fëmijë, prozë për fëmijë, aforizma, libër publicistik dhe me vështrime letrare. Mirëpo, fahu im është poezia për të rritur dhe për fëmijë, të cilën e shkruaj më me dëshirë…

–  Cilat janë temat për të cilat i shpërfaqni në krijimtarinë tuaj poetike?

Image result for bilall maliqi-Në librat e mi me poezi, motivet që janë brenda shkrimeve janë të ndryshme, duke filluar me motivin e dashurisë, social, kurbetit pse jo edhe patriotik e të përditshmërive tona në rrafshin e jetësor. Duke e ditur se motivi i dashurisë (erotik), motivi social dhe ai i kurbetit janë motive koherente, pra që i bëjnë ballë çdo kohë e situate dhe se duhet dhënë maksimumin që ato poezi t’i qëndrojnë kohës. Atëherë, unë dhe poetët në përgjithësi, duhet që brenda poezive të ketë fuqi shprehëse, të ketë figura stilistike e letrare, të cilat e bëjnë poezinë më të qëndrueshme si në aspektin semantik, po ashtu edhe në ate artistik e estetik. Edhe te poezia për fëmijë duhet po ashtu që t’i ketë disa rregulla, të cilat e bëjnë poezinë më të kapshme për imagjinatën e kësaj shtrese të lexuesve, sepse fëmijët duan që poezitë të kenë rimë, muzikalitet, brenda poezive të ketë humor, lojë, poezia të jetë e drejtpërdrejtë, mos të ketë hermetizëm apo terme që nuk i kuptojnë ata, apo ndonjë figurë që e fut në lajthitje kuptimin e poezisë për fëmijë, pra të jesh poet për fëmijë do të thotë të jesh dy herë poet i kësaj moshe.

 – Letërsinë, si e vlerësoni, sot?

-Letërsinë sot mund ta ndaja: në letërsi meritore me krijues që me botimet e tyre i bëjnë nderë letërsisë shqiptare, dhe në letërsinë me krijues që me librat e tyre shpërfaqin antivlerë, e për fat të keq ka mjaft libra dhe autorë të tillë, të cilët së pari nuk e dinë çka është poezia, nuk e dinë mirë edhe drejtshkrimin, kanë para dhe i botojnë librat e tyre, ndoshta pa iu nënshtruar ndonjë kriteri të caktuar, por ka edhe redaktorë që ia rregullojnë librat e që mandej autorët nuk i njohin poezitë e tyre, pra gjithçka kohët e fundit është komercializuar.

Letërsia e mirëfillt në gjirin e vet ka krijues të mirëfilltë, ka edhe libra me vlera të larmishme letrare, që nga libri me vlera të botueshme deri te libri me vlera të arrira letrare. Në këtë rrafsh kritika letrare duhet të bëjë çmos që t’i ndajë vlerat nga pseudovlerat, mendoj që këtë nuk e ka bërë deri më tani e që duhet doemos ta bëjë në të ardhmen e mos të bëhen vlerësime miqsh apo me mjete materiale, sepse në këtë mënyrë merr hov edhe librat, të cialt nuk i plotësojnë rregullat e të qenit libër i botueshëm.

 – A ka diçka që nuk po trajtohet në rrafshin letrar?

– Në rrafshin letrar, për mendimin tim nuk po trajtohet si duhet  kritika letrare për ktitikën letrare, çka nënkupton se nuk po trajtohen nga kritikët e guximshëm siç ishte Dr. Ibrahim Rugova e ndonjë tjetër që përveç trajtimeve korrekte ndaj librave të lexuar, të trajtojë edhe vlerësimet kritike të vlerësuesve, të cilët nuk janë korrekt në vlerësimet e tyre, siç nuk janë korrekt e të drejtë edhe në ndarjen e çmimeve poetike e letrare.

– Cilët autorë i preferoni t’i lexoni dhe  t’i vështroni?

-Unë aksidentalisht merrem me vështrime letrare. Thashë më lart se fahu im është poezia, por në një farë mënyre m’u ka imponuar të bëj vështrime letrare të shumë librave të lexuar, pasiqë jam edhe publicist dhe njohës deri diku edhe i poezisë. Nëpër gazeta e revisa, që dalin tek ne, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, kam botuar shumë recensione e këndvështrime, të cilat mandej i kam botuar në katër libra me vështrime letrare. Unë preferoj të lexoj libra të autorëve me vlera të qëndrueshme artistike e letrare, si të huaj edhe shqiptarë dhe me dëshirën më të madhe i lexoj dhe i vështroj.

  – Si pritet vlerësimi juaj tek krijuesit tanë?

-Deri më tani nuk kam pasur ndonjë vlerësim negativ nga krijuesit për të cilët kam shkruar! Jam munduar që të jem korrekt dhe mos t’iu hy në hak, aq sa kam mundur t’ua deshifroj dhe t’i analizoj librat e tyre. Dhe, mendimin tim, në fund të shkrimeve, t’ua jap ashtu si mendoj, pra secili në këndin e tij të perceptimit mund ta jap mendimin për librin e lexuar. Sikurse poezia dhe zhanret tjera letrare, që rangohen për nga vlerat, mendoj që edhe vështrimet, kritikat dhe studimet, rangohen po ashtu për nga vlerat.

– Ndonjë fjalë pas këtyre pyetjeve?

-Për fund unë do ta kisha shtuar edhe këtë se, ditë më parë u rizgjodha kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve “Feniks” (Kosovë Lindore) për të tretën herë, për këtë do t’i falënderoja të gjithë anëtarët e Shoqatës për besimin që ma dhanë dhe i siguroj që do të mundohem me tërë qenien time që Shoqata jonë të ecë drejt sukseseve edhe më të mëdha, të cilat i kemi me plan dhe me statut, duke e përfshirë Edicionin e Botimeve, Karvanin e Shkrimtarëve të Luginës dhe botimin e revistës së vetme letrare në Kosovën Lindore “Qëndresa”. / Tefik Selimi

SHPËRNDAJE