![](https://www.preshevajone.com/wp-content/uploads/2019/01/tahh.jpg)
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thumbuar sot kryeministrin Ramush Haradinaj për taksën ndaj Serbisë duke përdorur figurativisht fjalët borë dhe skllotë.
Shefi i shtetit ka pyetur përmes një statusi në Facebook kryeministrin Haradinaj nëse po shkrihet bora apo po bëhet skllotë, duke iu referuar deklaratave të shefit të ekzekutivit për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe të kërkuara nga SHBA-ja.
“Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Mirëpo, presidenti Thaçi prej kohësh nuk e përmend fusnotën me të cilën prezantohet Kosova në konferenca dhe organizata ndërkombëtare, e cila ishte vendosur si pasojë e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dialogut që udhëhiqej nga kryenegociatorja Edita Tahiri – e deleguar nga asokohe kryeministër Hashim Thaçi.
Në procesin e dialogut gjatë vitit 2012, Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi e kishin bërë Kosovën me fusnotë.
Për këtë fusnotë, e deleguara e Thaçit në dialog, Edita Tahiri, kishte thënë se bëhet fjalë vetëm për një “fluskë bore” e cila do të hiqej shumë shpejtë.
“Ndërsa pse unë e kam quajtur ‘fluskë bore’ është për arsye se në momentin që na njohin këto pesë vende të BE-së, kjo fusnotë hiqet, pra shkrihet siç e kam thënë unë”, citohet të ketë thënë Edita Tahiri, në një deklarim për gazetën Bota Sot gjatë vitit të kaluar.
E kur kanë kaluar më shumë se gjashtë vite prej vendosjes së fusnotës prapa emrit Kosovë, e cila erdhi si rezultat i dialogut ku Kosova përfaqësohej nga Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi, ende asgjë nuk ka ndryshuar.
Mirëpo edhe tash pas gjashtë vitesh, presidenti Thaçi nuk përmend “fluskën e borës” së fusnotës.