Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur dhe përshëndetur aprovimin me unanimitet të plotë të Rezolutës për Kosovën nga 57 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik – OBI-it, në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, njfton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”
Pacolli: Presim njohje nga 19 shtete anëtare të OBI-së
“Mirënjohës OBI-it dhe shteteve anëtare për miratimin me unanimitet të Rezolutës, duke thirrur mbi shtetet e saj anëtare, që ta njohin Kosovën dhe mbështesin anëtarësimin e saj në Organizata Ndërkombëtare. Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj me OBI-in dhe do të rris edhe më tej lidhjet”, ka thënë Pacolli, pas aprovimit të kësaj Rezolute.
Në ditën e dytë të vazhdimit të punimeve të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vazhdoi lobimin intensiv duke takuar homologët e tij të disa prej vendeve pjesëmarrëse në këtë këshill.
Ai ka zhvilluar takime me ministrin e jashtëm të Bangladeshit, Abdul Momen, me ministrin e jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Khaled Al Ahmad Al Sabah, ministrin e jashtëm të Gambisë, Mamadou Tangara, atë të Afganistanit, Salahuddin Rabbani si dhe ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Në të gjitha takimet, kryediplomati, Pacolli, diskutoi për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, përderisa ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimin e plotë të shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare.
Hapja e ambasadave të Kosovës në Kuvajt e Bangladesh dhe emërimi i një ambasadori jo-rezident në Afganistan ka qenë njëra nga temat e diskutimeve të kryediplomatit, Pacolli, në takimet e ndara, që i ka zhvilluar me homologët e tij nga Kuvajti, Bangladeshi dhe Afganistani si dëshmi e përkushtimit dhe zotimit të vendit tonë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dy-palësh në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Në takimin me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, numri dy i Qeverisë tonë ka diskutuar edhe mbi bashkëpunimin për promovimin e investimeve dhe tregtisë si dhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në “ExpoDubai 2020”, ndërsa gjatë bashkëbisedimit me ministrin e jashtëm të Gambisë, ai e ka ftuar këtë të fundit, që ta vizitojë së shpejti vendin tonë