Lëvizjes Vetëvendosjes edhe sot i është shtuar një anëtar i ri.
Bëhet fjalë për Labinotë Demi-Murtezin, ish-deputete e Partisë së Drejtësisë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie Albin Kurti, i cili ka thënë se Demi-Murtezi dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste. Këtë sipas Kurtit, mund ta bëjë Vetëvendosje.
Postimi i Kurtit:
Labinotë Demi-Murtezi është letrare dhe albanologe, ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës.
Ajo u anëtarësua në Lëvizjen tonë. Me prejardhje është nga Gjilani ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme (mjekësi e përgjithshme).
Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit. Pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave.
Ka marrë pjesë në disa kurse e trajnime specialistike, ka qenë asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mandej edhe deputete në legjislaturën e kaluar të Kuvendit. Znj. Labinote dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me VETËVENDOSJE!-n e të domosdoshme për Kosovën.