Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pas kontrollës administrative dhe kontrollave në terren ka përgatitur listat për pagesë të fermerëve përfitues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2019.

Sipas njoftimit për media deri më tani janë proceduar listat për pagesë të 13697 fermerëve, të cilët kanë përfituar subvencione në vlerë prej 11,891,328.14 euro. Prej kësaj shume, pagesa direkte për sipërfaqe për personat fizik, të cilat do të fillojnë të ekzekutohen nga MBPZHR-ja, arrijnë vlerën prej 8,097,061.22 euro, ndërkaq për blegtori 3,102,635.00 euro. Pagesat po ashtu janë në proces edhe për listën e përfituesve të personave juridik-agrobizneseve në vlerë prej 513,842.57 euro për sipërfaqe të mbjella dhe pagesa direkte për blegtori për këta persona në shumën prej 181,126.70 euro.

Kryeshefi Ekzekutiv i AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka thënë se kjo agjenci gjatë gjithë kohës së procesit vlerësues ka qenë dhe do të jetë transparente, me ç’rast i ka informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin vlerësues.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidanë të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit. Po ashtu, subvencionim ka edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht, për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, si dhe për sasinë e dorëzuar/shitur të duhanit.

SHPËRNDAJE