Sot janë dy përvjetorë të rëndësishëm për Kosovën: thyerja e kufirit në Koshare dhe përvjetori i Kushtetutës. Në këtë dyzim datash ka edhe një kontradiktë të thellë, thyerja e kufirit nga UÇK, me Agim Ramadanin me shokë ishte hap drejt lirisë, pavarësisë e bashkimit, përderisa Kushtetuta që buron nga pavarësia e e cila erdhi si rezultat i kompromisit dhe Pakos së Ahtisaarit (por edhe i luftës së së UÇK-së e betejave si ajo e Koshares) dhe e formësoi Kosovën si shtet, e ndalon bashkimin. Dhe ky ndalim nuk do të ishte dramatik, sikur kushtetuta të mos kishte edhe një kleçkë tjetër, ajo nuk mund të ndryshohet jo vetëm pa 2/3 e të gjithë deputetëve, por edhe pa 2/3 e deputetëve të pakicave. Në kontekstin tonë, ne kushtetutën nuk mund ta ndryshojmë pa deputetët serbë, rrjedhimisht pa Serbinë. Dhe në rrethanat e marrëdhëniet që i kemi me Serbinë, motivi i saj dhe i deputetëve që përfaqësojnë interesat e saj, nuk është funksionaliteti i Kosovës por përkundrazi. Andaj për ta bërë ditën e 9 prillit edhe më kuptimplotë, për ta nderuar Agim Ramadanin me shokë, për ta bërë Kosovën krejtësisht sovrane, për t’ia hapur edhe mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, Kosova duhet të shfrytëzojë dialogun me Serbinë në mënyrë që marrëveshja finale të përfshijë edhe ndryshimet kushtetuese. Këto ndryshime do të duhej t’i hiqnin pengesat të cilat Kosovën e mbajnë jo vetëm një shtet sui generis, por mbi të gjitha jofunksional e në konflikte të vazhdueshme politike.
Shkruan: Valon Murati