Gjashtë vite më parë, në Kuvend të Kosovës ishte diskutuar projektligji për mbrojtjen nga zhurma, në të cilin ezani vlerësohej si zhurmë. Votën për në vitin 2014-të, e kishin dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje, anëtarët e së cilës së bashku me liderin tash i ndalin në gjysmë fjalimet kur thërret ezani, raporton Gazeta Express.
Konferencat po i ndalin në gjysmë për të respektuar thirrjen e ezanit. E kjo praktikë, tashmë është përsëritur disa herë nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëm gjatë javës që lamë pas kryeministri në detyrë i ka ndalur dy konferenca për të respektuar ezanin.
Për këtë i ka reaguar kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi. Ai ka shkruar se Albin Kurti është duke manipuluar me ndjenjat e muslimanëve.
“Mos të harrojmë se me 2014 VV-ja në krye me Albin Kurtin votuan të gjithë njëzëri ligjin që e kufizon Ezanin dhe që ky ligj Ezanin e cilësonte zhurmë akustike. Të gjithë e dijmë që fushata parazgjedhore ka filluar, por me luajt me ndjenjat e muslimanëve është vepër shumë e ulët”, ka shkruar ai.
Vetëvendosje vite më parë kishte votuar pro Ligjit për parandalimin e zhurmës së ezanit, që ishte propozuar nga ish-ministri i Ambientit në atë kohë, Dardan Gashi.
Kuvendi kishte miratuar ligjin për ndotjen akustike, në të cilën përmendet edhe zhurma që vjen nga ezani, thirrja që bëhet në xhami 5 herë në ditë për faljen e namazit.
Atë kohë Vetëvendosje kishte votuar për, ani pse pothuajse gjithmonë si opozitë votonte kundër ligjeve të qeverisë.
Të gjithë deputetët e LVV’së përfshirë edhe Albin Kurtin, kishin votuar pro ligjin për zhurmat, që hapi debat të madh veçanërisht për pjesën ku sanksionohet zhurma e ezanit të xhamive dhe kambanave të kishës.
Votën për e kishin dhënë edhe deputetët e PDK’së, derisa nga Partia Demokratike kishte votuar kundër ligjit vetëm deputetja Ganimete Musliu.
Ndërkohë, shumica e deputetëve të LDK’së, me përjashtim të Alma Lames, Vjollca Krasniqi e Sadri Ferati, të tjerët kishin votuar kundër ligjit. Edhe deputetët e minoriteteve nuk e kishin përkrahur Ligjin.
Aty përcaktohet përgatitja e hartave të zhurmës, informimi i publikut për këtë si dhe miratimi i planeve të punës nga ana e Qeverisë dhe komunave, bazuar në hartat e zhurmës. Projektligji përcakton edhe bazën e vendosjes së masave të komunitetit për zvogëlimin e zhurmës.
Me këtë, përveç tjerash, nga miratimi i ligjit xhamitë do të duhej ta zvogëlonin volumin gjatë thirrjes së ezanit e kishat po ashtu të kambanave.
Imami Shefqet Krasniqi pati paralajmëruar atë kohë Lëvizjen Vetëvendosje që votuan pro.
“Për çudi Vetëvendosja e ka votu. Edhe kur jemi te Vetëvendosja unë jau çoj një selam, mos t’i prishum punët prapë, ne hale s’i kemi rregullu me ta, por e kemi fillu me ndryshu qëndrimin tone ndaj tyne sepse ata janë zbutë. Me votimin e tyre kundër ezanit në këtë rast ata na kanë tregu neve , na e kanë dhanë një isharet se ne duhet hale të kujtohemi mirë a me i përkrah apo jo…”, kishte thënë ai.
Në anën tjetër, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një komunikatë për media, kishte thënë se nuk do të ndalen as ezani dhe as kambanat.
Sipas tij, Projektligji do të përcaktojë limitet dhe intensitetin e tingujve ndaj të cilave mund të ekspozohet komuniteti.
“Ky Projektligj konsiston në një sërë nenesh që trajtojnë nevojën për të përcaktuar limit fizik për lartësinë dhe intensitetin maksimal të tingujve ndaj të cilëve mund të ekspozohet komuniteti”, kishte thënë asokohe Ymeri./GazetaExpress/