Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka zbuluar se Luis Suarez fillimisht kishte tentuar ta mohojë se e kishte kafshuar Branislav Ivanovicin e Chelseat gjatë barazimit 2:2 në Anfield në vitin 2013.

Ndeshja e vitit 2013 nuk kishte qenë hera e parë që Luis Suarez e kishte kafshuar një kundërshtar, pasi që uruguaiani ishte ndëshkuar me gjobë dhe pezullim prej dy ndeshjeve gjatë kohës së tij në Ajax për një sulm të ngjashëm në Otman Bakkalin e PSV-së tre vjet më parë.

Megjithatë, ndëshkimi për kafshimin e Ivanovicit kishte qenë shumë më i ashpër, pasi që tani sulmuesi i Barcelonës ishte ndëshkuar me pezullim për dhjetë ndeshjeve, pasi gjyqtarët fillimisht s’e kishin vërejtur incidentin gjatë ndeshjes.

Carragher, i cili edhe më parë ka folur për këtë incident duke thënë se për shkak të asaj, Liverpooli e humbi titullin e kampionit sezonin vijues, tani ka zbuluar se uruguaiani kishte tentuar ta mohojë incidentin.

“Kur ai erdhi në zhveshtore, Suarezi në fillim e mohoi, ndoshta duke shpresuar se kamerat s’e kishin kapur”, ka thënë Carragher.

“Unë mendoj se kjo pati ndikim të madh te gjasat e Liverpoolit për t’u shpallur kampionë sezonin vijues sepse Suarez u ndëshkua me shumë ndeshje pezullim”.

“Ai zemërohet, unë kam luajtur përkrah tij. Edhe kur e di se është gabim, ti del dhe e mbron lojtarin tënd dhe tentoni të qëndroni të bashkuar si skuadër dhe ta mbroni atë. Mendoj se i ndikoi atij shumë”.

SHPËRNDAJE