Gjykata Kushtetuese me anë të njoftimi ka bërë të ditur se do ta shqyrtojnë me urgjencë kërkesën e parashtruar dje nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pranuar të enjten, më 30 prill 2020, rreth orës 17:00, një kërkesë të parashtruar nga 30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes së cilës kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, është bërë e ditur se me qëllim të shqyrtimit urgjent të kësaj kërkese kanë dërguar shkresa njoftuese edhe për palët e interesit që duan të japi komente për kërkesën për caktim të masës së përkohshme.