Konfindustria Shqiptare i kërkon Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që të bien dakord dhe të mundësojnë sa më parë krijimin e një zone të lirë lëvizjeje në dy anët e kufirit shtetëror, si një masë që do të ndihmonte ekonomitë e të dyja vendeve.
Konfindustria vlerëson se me rëndësi, veç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve është edhe zgjerimi i hapësirave të këtij qarkullimi, duke mos u kufizuar vetëm brenda kufijve shtetërorë.



“Transporti me mjete private duhet të lirohet tërësisht si brenda bashkive ashtu edhe në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit. Nuk ka asnjë kuptim dhe vlerë lejimi i aktiviteteve të shërbimeve si p.sh hoteleve, etj., nëse nuk shoqërohet me lejimin e qarkullimit të qytetarëve. Konfindustria kërkon që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të krijojnë sa më shpejt një zonë të përbashkët të lirisë së qarkullimit të qytetarëve në periudhën e mbylljes ndërkombëtare të pandemisë”, thuhet në deklaratë.
Konfindustria mendon se propozimi i saj mbështetet edhe nga rrezikshmëria e ulët e koronavirusit në dy vendet.
“Të dhënat shëndetësore tregojnë, që shkalla e rrezikut të Covid 19 në Shqipëri, Kosovë dhe në Rajon, është shumë e ulët në shkallë krahësimore me vendet historike të BE. Ndërkohë, masat shtrënguese në Shqipëri janë tërësisht jopërpjestimore me shkallën e rrezikut shëndetësor dhe mjaft më të ashpra, sesa vëndet e Rajonit dhe më tej”, vijon deklarata.
Konfindustria përllogarit se dëmi i shkaktuar ekonomisë shqiptare deri më tani është rreth 2 mld dollarë.

SHPËRNDAJE