Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që dekretin e presidentit Hashim Thaçi e vlerësoi si në harmoni me Kushtetutën, ka nxitur një debat të madh në Kosovë. Për këtë çështje në një intervistë për T7 ka folur edhe amerikani John Tunheim, që ka qenë këshilltari kryesor i dërguar nga qeveria e SHBA’së, për të ndihmuar hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

Tunheim e ka vlerësuar si të drejtë dhe korrekt vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

“Mendoj se kjo është saktësisht korrekte. Kur anëtarët e Komisionit Kushtetues janë takuar dhe kur kanë marrë ndihmë nga Komisioni i Venecias dhe autoritetet ndërkombëtare, ka qenë një debat për këtë. Ka ekzistuar një shqetësim se do të jetë një periudhë e gjatë kohore pa qeveri, që do ta dobësonte dhe destabilizonte vendin. Prandaj, Kushtetuta parasheh një proces të shpejtë për caktimin e qeverisë dhe nëse fituesi i zgjedhjeve nuk mund ta formojë qeverinë për ndonjë arsye ose nëse ka mocion të suksesshëm të mosbesimit, atëherë presidenti e ka autoritetin të kalojë të shumica tjetër e mundshme dhe pas dy përpjekjeve, kjo është e tëra, duhet të shkoni në zgjedhje në këtë pikë. Por presidenti duhet të shkojë te një grup i dytë që mund ta formojë shumicën. Kushtetuta është e hartuar në një mënyrë që e inkurajon formimin e një qeverie stabile dhe nëse nuk ka kërkesë për të shkuar në zgjedhje menjëherë, vetëm kur periudha 60-ditore të përfundojë dhe të mos ketë qeveri, atëherë do të shkohej në zgjedhje, sepse të gjithë kanë qenë të shqetësuar për periudhën e gjatë kohore pa qeveri, që qartazi do të ishte destabilizuese. Kushtetuta nuk ka periudha të sakta kohore – numër të ditëve – për gjithçka. Nuk mund të parashikojmë çdo problem të mundshëm. Edhe në Shtetet e Bashkuara, kushtetuta jonë është ratifikuar në vitin 1789 dhe ka pasur goxha pak amandamente prej asaj kohe. Gjykata jonë Supreme dhe vërtet të gjitha gjykatat në Shtetet e Bashkuara e interpretojnë kushtetutën. Ato e zbatojnë atë sipas fakteve të ditëve modern. Ato e zbatojnë atë sipas asaj që është duke ndodhur në vendin tonë. Kjo është duke ndodhur edhe në Kosovë. Nuk ka datë të saktë për gjithçka. Gjatë shkrimit të kushtetutës, nuk mund të caktoni data të sakta për secilin aspekt rreth asaj që mund të ndodhë. Korniza e Kushtetutës është që të inkurajojë që qeveria të formohet shpejt në mënyrë që vendi të mund të udhëhiqet nga një qeveri stabile. Mendoj se i përket Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë në frymën dhe kornizën e Kushtetutës dhe kjo dërgon në rezultat korrekt”, tha ai.

Gjyqtari Tonheim, gjithashtu ka ndihmuar në ristrukturimin e Kodit dhe Procedurës Penale në Kosovë. John Tunhiem, ka punuar edhe në projekte zhvillimore të sundimit të ligjit Uzbekistan, Gjeorgji, Rusi, Mal të Zi, Jordani, Hungari, Bulgari, Maqedoni, Kazakistan, Kirgistan, Moldavi, Lituani, Nepal dhe Ukrainë, ndërsa tani udhëheq gjykatën në distriktin e Minesotës në SHBA.

SHPËRNDAJE