Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian shprehën përkrahje dhe solidaritet me Francën të hënën gjatë një takimi një Nju Jork, ku u diskutua prishja e marrëveshjes 40-miliardëshe për nëndetëse nga Australia.

Duke folur pas takimit me dyer të mbyllura në kuadër të takimit vjetor të udhëheqësve botërore në OKB, shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, tha se nevojiten më shumë bashkëpunim e më shumë koordinim e më pak përçarje për të arritur paqe e stabilitet në rajonin e Indo-Paqësorit, ku Kina është fuqi në rritje.

“Sigurisht, u befasuam nga ky njoftim”, tha kryediplomati evropian duke iu referuar paktit mes Australisë, Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se iu duk e vështirë ta kuptonte vendimin e Australisë, Britanisë së Madhe e Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters.

“Pse? Sepse me administratën e re të Bidenit, Amerika është kthyer. Ky ishte mesazhi historik që u dha nga kjo administratë e re dhe tash ne kemi pyetje. Çfarë do të thotë “Amerika u kthye”? A është kthyer Amerika në Amerikë apo ndokund tjetër? Nuk e dimë”, tha ai para gazetarëve në Nju Jork.

Zyrtari i lartë evropian shtoi se nëse Kina është fokusi kryesor i Uashingtonit, atëherë është “shumë e çuditshme” që ShBA-ja të bashkohet me Australinë e Britaninë, duke vlerësuar se ky vendim e ka dobësuar aleancën transaltanike.

Shtetet e Bashkuara janë munduar ta qetësojnë Francën, duke thënë se ajo mbetet në mesin e aleatëve kryesorë. Presidentët e të dyja vendeve, Joe Biden e Emmanuel Macron, pritet të zhvillojnë bisedë telefonike në ditët e ardhshme./Përktheu: Nasuf Abdyli

SHPËRNDAJE