Numri dy në listën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Sali Salihi në një bisedë për “Presheva Jonë”, ka shpalosur punën që po bëhet deri në ditën e zgjedhjeve, por edhe planet që kanë në mandatin që pritet tua japin shqiptarët e Luginës në zgjedhjet e ditës së diel. Z. Salihi ndër të tjera ka thënë se nuk janë të interesuar për pozita në qeverine e Vuciqit e cila nuk pritet të jetë aspak më ndryshe nga kjo që ka qenë deri sot në raport me shqiptarët dhe se nuk ka ofertë që mund ti devijojë nga ky mission I shenjtë.

 

Presheva Jonë: Sa keni arritur të përgatiteni, a mendoni se do të arrini të unifikoni qytetarët rreth listës tuaj, cilat janë pritshmëritë?

Nga dita e parë kur janë shpallur zgjedhjet parlamentare, partite politike shqiptare, në këtë rast edhe Partia Demokratike të cilën e përfaqësoj në listën KOALICIONI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS kemi filluar që të përgatitemi rreth zgjedhjeve të 3 prillit 2022. Deri në këto momente, në çdo vendbanim shqiptar, nga Medvegja, në Bujanoc e Preshevë kemi parë një interesim të madh të qytetarëve për të dale në këto zgjedhje. Me qytetarët të cilët po jemi në kontakt të përhershëm e kanë të qartë se vetëm të unifikuar mund të ju përgjigjemi me suksese sfidave që na presin. Me pjesëmarrjen e qytetarëve në fushatë mund të përsërisim rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ku shqiptarët për here të pare arritën 3 ulëse në parlamentin serb.

Presheva Jonë: Sa ja vlen sot të jesh deputet “opozitë” ashtu sic pritet të jeni ju në parlamentin serb, a mendoni se do të jeni efikas, a do të keni hapsira, a do ti kërkoni ato?

Iu kemi bërë të qartë të gjithëve se përfaqësuesit e zgjedhur nga këto zgjedhje nuk janë duke kërkuar që të bëhen pjesë e një qeverie, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë e njejta edhe për një mandat. Por, do të kërkojmë që pozita shqiptare të avancohet dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Serbi mos të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Në vitin 2013, qeveria e atëhershme serbe me protagonist kryesor që janë edhe sot në skenën politike në Serbi, Vuçiq&Daçiq, paten pranuar një dokument të hartuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare që atëherë kanë vepruar në Luginë të Preshevës, për masat emergjente të afirmimit të drejtave të shqiptarëve në Luginë, shkurtimisht i njohur si plani 7 pikësh. Por, fatkeqësisht, ajo ka mbetur ashtu pa prekur, dhe qeveria nuk ka qenë e gatshme ta implementojë një document të cilin në parim vet e ka pranuar. Pra, kërkojmë implementimin e këtij plani që përfshinë 7 sferat kryesore të jetës shoqërore.

Presheva Jonë: Jeni në një listë me rivalin tuaj kryesor për zgjedhje lokale, PVD-në, sa po arrini të koordinoheni dhe të gjeni bashkëpunim?

Partia Demokratike ka thyer këtë tabu në vitin 2020, kur si fituese e zgjedhjeve lokale në komunë të Bujanocit ka zgjatur dorën e bashkëpunimit me partinë rivale PVD, dhe deri më sot, pothuajse dy vite qeverisje, kemi një koalicion funksional dhe stabil në Bujanoc. Për zgjedhjet parlamentare ka qenë më e lehtë të vendosim, duke zgjeruar bashkëpunimin edhe në nivelin qendror. Jam ithtar i idesë se duhet të ekzistojë pluralizimi politik dhe qytetarët të ketë oferta politike për të zgjedhur, por shqiptarët nuk e kanë lluksin që në Beograd të përfaqësohen veç e veç. Pos kësaj, neve na bashkojnë problemet, sfidat që i kemi përpara. Migirmi i të rinjëve, pasivizimi, mos njohja e diplomave, papunësia e madhe, nuk zgjedhin parti politike, por ato na prekin të gjithëve. Prandaj, është i arsyeshëm ky bashkim i partive politike kryesorë në Bujanoc.

 Presheva Jonë: Cila do të ishte ofera e Vuciqit, e cila do të ishte e pranueshme nga ana juaj për të qenë pjesë e pushtetit?

Po e përsëris edhe një here se koalicioni jonë më shumë është i interesuar që të realizohen të drejtat tona, si integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore, njohja e diplomave, zhvillimi ekonomik, ndërprerja e procesit të pasivizimit dhe kthimi i adresave për të pasivizuarit, trajtim të barabartë si të gjitha komunitetet tjera në Serbi e kështu me radhë. Sa I përket idesë se mund të na joshë me ndonjë pozitë ministrore, kjo nuk do të ndodhë.

Presheva Jonë: A do të t’i konvenojë Vuciqit fakti që shqiptarët janë me dy lista, pasi që do të tentoje që njërën ta ofrojë në qeveri, duke i përqarë shqiptarët?

Në shikim të parë duket se pjesëmarrja e shqiptarëve me dy lista edhe do të mund t’I konvenonte qeverisë serbe, mirëpo unë mendoj se kësaj politike aktuale nuk i duhen shqiptarët, dhe se asnjëra listë nuk do të pranonte që për dy apo tri pozita qeveritare të jsohen për të hyrë në qeveri. Ngase, ne ende po kërkojmë që të na realizohen të drejtat elementare, e nuk bëhet fjalë për të udhëhequr ndonjë ministri.

Presheva Jonë: Nëse do të zgjidheni deputet, do të jetë hera juaj e parë në një pozitë kaq të rëndësishme, a ndiheni i gatshëm që dinjitetshëm ta përfaqësoni shqiptarin në Serbi mes mbi 300 serbëve?

E kuptoj rëndësinë dhe peshën që ka deputeti, prandaj edhe propozimi i Partisë Demokratike që unë të jem përfaqësoj atë në një koalicion të këtillë nënkupton që mund të përfaqësoj me dinjitet komunitetin shqiptar. I kuptoj paraprakisht pengesat që do të mund t’i hasë gjatë këtij rrugëtimi, por sigurisht me një bashkëpunim të sinqert me të gjitha partite politike shqiptare në Luginë, dhe me kontaktet tona me dy qeveritë shqiptare, do t’ia dalim që të artikulojmë qartë kërkesat tona.

SHPËRNDAJE