Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është bërë shembull në Ballkanin Perëndimor, pasi tha se është vendi i vetëm në rajon që do të ketë bateri akumuluese të energjisë.
Duke folur në një konferencë për media për grantin amerikan prej 202 milionë dollarësh, Kurti e krahasoi Kosovën me Italinë e Slloveninë, raporton Gazeta Express.
“Ajo që neve na ka bërë shumë të lumtur dhe të gëzuar, është fakti që jemi edhe të parët në Ballkanin Perëndimor. Të tjerët do të mund të na marrin si shembull neve. Në Ballkanin Perëndimor në këto 6 shtete, nuk ka bateri. Duhet të shkosh larg sa Italia e Sllovenia që të mbërrish tek bateritë akumuluese çfarë do t’i kemi ne tash përmes grantit të MCC-së. Dhe kurrë mos e harroni – nuk është kredi, është grant. Vijnë paratë, i merr, s’i kthen. Sepse kemi edhe kredi që janë të levërdishme, por janë kredi. Ky është grant”, tha ai.
Kurti bëri pyetje dhe u përgjigj, duke thënë se puna e Qeverisë së tij ka bërë që MCC t’ia japë Kosovë këtë grant.
“202 milionë dollarë ia kanë dhënë Kosovës. Shtrohet pyetja, ‘pse s’ia kanë dhënë më herët?’. Sepse kemi qenë në atë Programin Threshold. Programi Threshold e ka maksimumin 50 milionë. E pse kemi qenë në programin Threshold? Sepse vlerësimin për demokraci, sundimin e ligjit nuk e kemi pasur të mirë. Është rritur vlerësimi ndërkombëtar, e posaçërisht amerikan për Republikën e Kosovës që ka mundësuar kalimin nga programi Threshold në Programin Kompakt”, tha ai.
Kurti tha se me bateritë që ia sjell Kosovës marrëveshja me MCC-në, Kosova do të ketë kapacitet 10 herë më shumë se Italia.
“Jo vetëm që duhet të shkosh ne Itali e Slloveni për këto bateritë çfare do t’i marrim ne nga MCC-ja, por nëse shikojmë për kokë banori, ne do të kemi kapacitet me bateri 10 herë më shumë se Italia, Kosova do t’i ketë pra në kuptimin e energjisë 340 megavatë orë me 1.85 milionë banorë, ndërkaq Italia i ka 1250 megavatë orë kapacitet energjetik me bateri, por i ka 60 milionë banorë”. Ngjajshëm është edhe te Sllovenia.