Ai duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerë prej 1.2 milionë CHF, kompensim prej 50,000 CHF dhe dëbohet nga vendi për 10 vjet

Vajza, atëbotë 16-vjeçare, e kishte takuar personin që atëherë ishte 22 vjeç, përmes një aplikacioni chat. Në muajt në vijim, ai që konisiderohej si i dashur i saj, e detyronte të miturën të kryente prostitucion pothuajse çdo ditë, transmeton albinfo.ch.

Nga vera e vitit 2016 deri në janar 2018, ai i caktonte klientët, prodhonte foto dhe video dhe mblidhte të ardhurat nga prostituimi i saj.

E gjithë kjo është vërtetuar, thotë Gjykata e Qarkut Bucheggberg-Wasseramt (Solothurn).

Adoleshentja u detyrua të kryente praktika të ndryshme seksuale dhe të bënte seks të pambrojtur, shkruan srf.ch. Ajo po ashtu duhej të plotësonte edhe nevojat e “të dashurit” të saj.

Për gjykatën del e qartë se ai kishte vepruar sipas “skemës (mashtruese) së të dashurit”. Adoleshentja ishte e pambrojtur, thanë prokurorët gjatë ditës së procesit gjyqësor. Ai e kishte bërë të renë të varur emocionalisht dhe të shfrytëzuar prej muajsh.

Ajo kishte provuar të mbrohej, të kundërshtonte, por “i dashuri” ishte përpjekur të ngjallte simpatinë e saj. Ai i kishte thënë asaj se ata kishin nevojë për para për një të ardhme të përbashkët, përcjell albinfo.ch. Vajzës i ishte dashur të punonte për të edhe pas vdekjes së papritur të nënës së saj, madje, edhe ditën e varrimit. Gjykata i konsideron fakte edhe këto pika të aktakuzës.

“Ju e keni çuar atë në prostitucion, e keni mbajtur aty dhe keni siguruar jetesë shumë të mirë, prej saj”, tha një gjykatës kur u shpall vendimi. Gjykata e ka shpallur viktimën të besueshme. Përveç dënimit me burg, Gjykata e Qarkut i ka shqiptuar atij detyrimin për dëmshpërblim në vlerë prej 1.2 milionë CHF dhe kompensim prej 50,000 CHF. Gjithashtu, shkelësi do të dëbohet nga vendi për 10 vjet.

Në seancën e së premtes, mbrojtja kishte kërkuar shpalljen e pafajësisë për kosovarin. I pandehuri kishte thënë se kërkonte një gjykim të drejtë. Kur u shpall vendimi, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut Solothurn tha: “Ju kërkuat drejtësi, ky është një gjykim i drejtë”.

Sipas urdhrit të gjyqtarit, 28-vjeçari duhet të qëndrojë në paraburgim. Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm. Mund të kalohet në shkallën tjetër, përcjell albinfo.ch. Kjo është pikërisht ajo që mbrojtësi synon të bëjë, tha ai për SRF. Ai ende është në pritje të arsyetimit me shkrim të aktgjykimit.

SHPËRNDAJE