Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka pritur në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

Bislimi i ka uruar mirëseardhje e suksese në detyrën e tij, duke potencuar marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë, siç njofton Zyra e Kryeministrit.

“Ambasadori u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë si dhe theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidaritetin e ardhur nga Republika e Kosovës ndaj popullit turk në rastin e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë”, njoftoi ZKM-ja.

Në këtë takim, ZKM thotë se “u bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në ekonomi, ku ekziston potencial madhor në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”,

“Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për objektivat strategjike të Kosovës, siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi në Partneritetin për Paqe në NATO. Palët potencuan dhe rëndësinë e nevojën për stabilitet, paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe biseduan edhe mbi procesin e dialogut”, thuhet në njoftim.

 

 

SHPËRNDAJE