Mediumi Koha ka raportuar në lidhje me një ndërrim të pronave të dy biznesmenëve, të cilët dikur ishin klientë të Përparim Ramës, kryetar i Prishtinës, në kohën kur ky i fundit e ushtronte profesionin e arkitektit. Krejt ngjarja duket e dyshimtë dhe në këtë rast janë, krahas LDK-së, të përfshirë edhe asamblistët e VV-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Në fund të dhjetorit, me propozim të kryetarit Rama dhe me ndihmën e asmablistëve të VV-së, të cilët e mundësuan kourumin, Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka hapur rrugë shkëmbimit të pronës komunale me atë private të Rrahman Haradinit e Shaban Konxhulit, me të cilët Rama dikur kishte raporte kontraktuale.

Në këtë seancë kishte munguar PDK-ja, e në rast se do të mungonin edhe ata të VV-së, atëherë do të pamundësohej seanca në mungesë të kourumit.

Në fakt, siç shkruan Koha, “para tre vjetësh Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re”.

Si pasojë e vendimit të Abdixhikut, që ishte ministër në Qeverinë Kurti 1, toka e dy biznesmenëve kishte mbetur e pashfrytëzuar. Tutje, Koha raporton se arsyetimi në këtë propozim ishte konfuz, ndërsa dispozitivi nuk përmbante elementet bazike.

“Në të thuhet që pjesa e propozuar për këmbim ka sipërfaqe të përgjithshme rreth 21 hektarë, ku lejohet ndërtimi deri në 6 kate.” – shkruhet në artikullin e Kohës.

Tutje, Koha ka bërë edhe një përllogaritje të çmimit në tregun e patundshmërive të tokës së propozuar për shkëmbim.

“Bazuar në çmimin e tregut, një ari në këtë pjesë kushton së paku 10 mijë euro, duke e bërë vlerën e kësaj parcele rreth 20 milionë euro.” – shkruhet tutje aty.

Ndërsa arsyetimi i Gëzim Sveçlës, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, ishte krejtësisht qesharak. Ai citohet të ketë deklaruar se “nuk është në rregull të thuhet se VV-ja e ka bërë kourumin”. Tutje, ai ka deklaruar se ata kanë “shkuar në vendin e tyre të punës”.

“Pikësëpari mendoj që nuk është në rregull të thuhet se Vetëvendosje e ka bërë kuorumin. Na vetëm kemi shkuar në vendin tonë të punës, për të cilin jemi të zgjedhur. Do të thotë jemi asamblistë. Atë ditë kemi pasur seancë. Ka pasur shumë pika të rëndësishme të rendit të ditës. Më të rëndësishmet kanë qenë pronat që i përmendët ju, por kanë qenë gjithashtu rregullorja për ‘Prishtina Parking’ dhe ka qenë plani rregullues për lagjen ‘Kalabria’”, ka thënë Sveçla.

Ky vendim për këmbimin e pronave do të mund të hyjë në fuqi në rast se e kalon testin e vlerësimit të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Në lidhje me këtë temë, Koha raporton se as biznesmenët e as Komuna e Prishtinës nuk janë deklaruar.

SHPËRNDAJE