Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar për diskutimet në takimin e sotëm në Bruksel për cështjen e dinarit serb.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk e kanë vënë në dyshim mandatin e BQK-së për rregullimin e çështjes së dinarit, por brengat e tyre kanë të bëjnë me ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit “BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”.
Po ashtu BQK-ja, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.
“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-së takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.