Emisioni sportiv “Favorit” i cili është në transmetim live në T7 posa e ka dhënë një lajm ekskluziv.
Sipas “Favoritit” vetëm para pak ditësh, respektivisht në javën që lamë pas, në futbollin e Kosovës është zhvilluar një ndeshje kampionale e cila dyshohet të ketë qenë e kurdisur.
Ky rast është konfirmuar për emisionin “Favorit” edhe nga vet prokurori Besim Kelmendi.
“Në javën e kaluar e kemi rastin e fundit që dyshohet për kurdisje që e kemi dërguar në prokurorinë kompetente”, ka deklaruar prokurori Kelmendi, i cili është edhe ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
Njëherësh, Kelmendi është edhe kryesues i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.
Tash për tash, mbetet e paqartë se për cilën ndeshje bëhet fjalë, ose cilës kategori i përket, pasi prokurori Kelmendi ka thënë se nuk mund të japë detaje, pasi ato mund ta dëmtojnë procesin e hetimeve.