Më 4 mars u hap zyrtarisht baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, një “investim i madh që do të shërbejë për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës ajrore”.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bazën ajrore e ka vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të NATO-s në Shqipëri.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, ministri Peleshi ka shprehur falënderim për të gjithë ata që kanë punuar në rikthimin e bazës ajrore të NATO-s.
Ai ka theksuar se hapja zyrtare ka ndodhur në një moment shumë të rëndësishëm, duke theksuar fluturimin e pilotëve amerikanë dhe italianë mbi qiellin e Kuçovës këtë të hënë.
Më lejoni, të shpreh falënderim për këdo që punoi për rikthimin në shkëlqim të plotë të bazës ajrore të NATO-s. Mirënjohje të gjithëve për prezencën dhe ndihmën tuaj. 4 marsi do të skalitet si dita kur pilotët amerikanë dhe italianë, fluturuan mbi qiellin e Kuçovës”, ka thënë ai.
Ministri ka pohuar se baza ajrore në Kuçovë është një aset që ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin.
Ai ka shprehur shpresën për mbështetjen e aleatëve dhe miqve në këtë projekt madhor, duke theksuar rolin e saj gjeostrategjik në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.