I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është duke zhvilluar takim të përbashkët me liderët e partive opozitare,
Takimi ka nisur në ora 19:00 dhe po mbahet ne rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Gjatë ditës, Escobar është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, ndërsa nesër do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Escobar, ka thënë të mërkurën pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar.
Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.
Në lidhje me ndalimin e dinarit serb, Escobar tha se ndodhet në Kosovë për të biseduar për mënyrat e gjetjes së një zgjidhjeje.
Presidentja Osmani e përsëriti se kjo çështje duhet të zgjidhet në bashkëpunim me aleatët.
Ndërsa Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel të martën, e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar këtë rregullore.