Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Telegrafin, i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të dhëna ditë më parë.

Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiqi i ka dhënë duke kërcënuar “se do ta sulmojë Kosovën”.

Osmani tha se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri më tani.

“Njësoj, si edhe në të kaluarën, ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës, të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.

Gjatë intervistës për Telegrafin, Osmani tha se Kosova është me fat dhe e bekuar që ka në krahë aleatët e saj.

“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës, jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi, do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës. Kështu që Vuçiqi sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, e kjo është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, ka thënë ndër të tjera, presidentja Osmani.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të “sjelljes së autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”.

 

SHPËRNDAJE