I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq kanë rënë dakord që bisedimet të vazhdojnë të hënën e ardhshme.
Emisari ka thënë se marrëveshja duhet të adresohet nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.
Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t`i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit tha se në takim është diskutuar për dy tema.
“Ftesa iu ka pasur dy tema në agjendë. Tema e parë ka pasur avancimi i marrëveshjes bazike e aneksit implementues, si dhe tema e dytë është çështje të tjera”, tha ai.