Dëshmitari Shuan Byrnes tha se pas dorëheqjes së Adem Demaçit, i cili nuk pranonte të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë, kishte mosmarrëveshje në mes grupit të tij dhe atij të Hashim Thaçit.

Byrnes tha se grupi i Thaçit ishin të mendimit se çështja me Serbinë do të mund të zgjidhej me negociata, ndërsa ai i Demaçit ishte i mendimit se Kosova duhej të çlirohej nga Serbia me luftë.

“Mosmarrëveshja më e thellë ndërmjet Thaçit e të moderuarve dhe Demaçit e grupit të tij që ai e kishte mbështetës në udhëheqjen e UÇK-së, pra problemi më i madh ishte se Demaçi besonte që liria e Kosovës dhe çlirimi i saj nga Serbia do të duhej të kryhej me forcë dhe fuqi të armës, ndërsa Thaçi dhe të moderuarit që në atë kohë kishin bërë biseda të zgjeruara me ndërkombëtarët, në ato biseda ata kishin arritur në përfundimin se Kosova mund të çlirohej nga Serbia me negociata”, tha Byrnes, përcjell Betimi për Drejtësi.

Sipas tij, grupi i Thaçit duke përdorur mjete politike, nuk donin që të sakrifikonin dhe të flijonin më shumë jetë shqiptarësh, në një konflikt që vijonte dhe kërkonin zgjidhje përmes negociatave.

Dëshmitari tha se është dakord se pas dorëheqjes së Adem Demaçit, duket se ka edhe një ndarje edhe më të madhe të grupeve të caktuara, përfshirë edhe ata që janë me militantë me Demaçin, duke përfshirë këtu edhe fraksionet më të moderuara të UÇK-së.

Pasi u bë e ditur që dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe nesër, me kaq mbaroi seanca e sotme.

SHPËRNDAJE