Lista Serbe ka thënë se qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që t’i dëbojë të gjithë serbët nga veriu, pas arrestimit të Srecko Sofronijeviqit në pikën kufitare në Bërnjak të shtunën.
Sofronijeviq është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës për “prishje të rendit kushtetues”. Ai ishte plagosur gjatë trazirave të vitit 2021 në veri.
Lista Serbe ka thënë se arrestimit i Sofronijeviqit është vazhdim i terrorit të “regjimit të Prishtinës mbi popullin serb”.
“Arrestimi i sotëm i bashkëqytetarit tonë Srecko Sofronijeviq nga policët e Kurtit teksa bashkë me bashkëshorten e tij ishin nisur për në Serbinë qendrore në vendkalimin administrativ Bërnjak, është vazhdim i terrorit të regjimit në Prishtinë mbi popullin tonë, por edhe për Sofronijeviqin dhe familjen e tij. Si kujtim, Sofronijeviq u qëllua në shpinë dhe u plagos rëndë nga policia e Kurtit më 13 tetor 2021 në afërsi të shtëpisë së tij, ndërsa po përpiqej të fshihte dhe mbronte fëmijën nga zjarri i forcave speciale të Kurtit. Akuza për sulm ndaj rendit kushtetues është, kujtojmë, pjesë e planit të Albin Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët nga veriu i Kosovës. Në atë listë arrestimi për prishje të rendit kushtetues janë mbi 80 persona, disa prej tyre janë mjekë, biznesmenë, përfaqësues politikë të popullit serb, drejtorë të institucioneve dhe institucioneve publike”, thuhet në reagimin e tyre.
Partia më e madhe serbe në Kosovë e ka cilësuar arrestimin e Sofronijeviqit si “të pabazë” dhe “arbitrar”. Madje, ata thonë se Sofronijeviqi u arrestuar veç pse është serb, ndërsa vunë në pikëpyetje aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Për ta bërë paradoksin më të madh, në vend që sot familja e Srecko Sofronijeviqit dhe vetë ai të shikojnë se si po arrestohet ai që për pak sa nuk e vrau Sofronijeviqin në tetor 2021, ata sot po shikojnë sesi Sofronijeviqi arrestohet në mënyrë të paarsyeshme për një nga krimet më të rënda. Pyesim nëse ky arrestim është vazhdimësi e represionit të regjimit të Albin Kurtit përmes arrestimeve të pabaza dhe arbitrare siç e kemi parë muaj më parë dhe nëse praktika e arrestimeve të pabaza është standard i rekomanduar nga Prishtina për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, e veçanërisht në Këshilli të Europës. Ku tjetër në Evropë arrestohen njerëzit për shkak të përkatësisë së tyre etnike?”, vijon reagimi i Listës Serbe.
Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë, para së gjithash vendeve të QUINT-it, por edhe EULEX-it, Bashkimit Evropian dhe UNMIK-ut “që të reagojnë urgjentisht dhe të parandalojnë shtypjen e Sofronijeviqit dhe qytetarëve tanë në përgjithësi, dhe të mundësojnë lirimin e tij dhe të drejtën për t’u mbrojtur nga akuzat e rreme”.