Kryeministri, Albin Kurti, ka reaguar pasi autoritetet serbe kanë ndaluar dhe bllokuar qindra qytetarë të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë.
Këtë Kurti e ka cilësuar si hakmarrje të Serbisë pas votimit pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës nga Asambleja Parlamentare. Pas këtij triumfi në Asamble, çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në X.
Kurse zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga komuniteti serb është ndaluar autoritetet serbe në Pikën Kufitare në Jarinjë dhe i njëjti sipas burimeve të Dukagjinit brenda Policisë, është dërguar në Rashkë, ku po dyshohet se po keqtrajtohet.
Këtë ndalese autoritetet e Serbisë e kane arsyetuar si “shkelje e rendit kushtetues” nga ana e Jankoviqit.
Për këtë ndalim ka reaguar edhe, Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, i cili ka thënë ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është Jankoviq.
Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, sipas tij, “po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.