Analisti serb, Branisllav Krstiq, ka thënë për KosovaPress se në amplitudën e tradhtisë të interesave të serbëve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, së bashku me Listën Serbe janë duke shkuar deri në fund.
Sipas tij, serbët e veriut do ta bojkotojnë votimin për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore që pritet të mbahet të dielën, pasi kryetari i Serbisë insiston për bojkot të këtij procesi.
Ndërkaq, sa i përket mundësisë së tensionimit të situatës dhe provokimeve apo krijimit të incidenteve nga grupe të caktuara të dielën në veri, ai theksoi se nuk do të ketë asnjë incident, sepse popullata lokale thjesht do ta injorojë këtë proces.
“Qytetarët nga veriu i vendit janë viktima të politikave të kabinetit të kryetarit Vuçiq, që do të thotë jemi në një shfaqje në të cilën ai (Vuçiq) insiston për bojkot. Jo vetëm Lista serbe, por edhe aktivistët, partitë dhe iniciativat opozitare janë në të njëjtën linjë…
Parashtrohet pyetja, për çka atëherë (Vuçiq – Lista Serbe) i kanë obliguar qytetarët për ta nënshkruar peticionin. Në amplitudën e tradhtisë ndaj interesave të komunitetit serb në Kosovë, ata janë duke shkuar deri në fund. Jemi dëshmitarë gjatë 12 viteve të fundit se Beogradi zyrtar është duke marrë vendime kundër interesave të komunitetit serb…”, tha ai.
Sipas tij, serbët do ta bojkotojnë (votimin të dielën) sepse Beogradi zyrtar ka mekanizmat qysh me i kontrollu serbët nga veriu i Kosovës.
“… Shfaqje dhe lojë politike e Beogradit zyrtar… Kjo është vetëm një lëvizje sa për opinionin e brendshëm në Serbi… Kemi tensione, është e kuptueshme dhe shumica e këtyre tensioneve janë të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.
Mirëpo, kohët e fundit, flas për gjashtë muajt e fundit, pas tragjedisë në Banjskë, ne kemi edhe grupe me interesa politike të ndryshme të cilat bëjnë pjesë në djegien e veturave edhe të pjesëtarëve të Listës serbe, mbase ekziston opsioni që Lista Serbe vetë është duke i djegur veturat e tyre, sepse për ta dy-tre mijë euro nuk janë asgjë, për ta tensionuar veriun e vendit… Nuk do të kemi asnjë incident (të dielën)…”, ka thënë Krstiq.