Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ po mbahet workshopi i dytë dedikuar implementimit të sistemit digjital ‘MyFFK’. Ky sistem po realizohet në kuadër të bashkëpunimit të FFK-së me Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite, derisa përfshin regjistrimin e lojtarëve, menaxhimin e garave dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, duke krijuar kësisoj një ekosistem të integruar digjital për futbollin.
Workshopi, i cili fillon sot dhe do të zgjasë deri më 7 gusht, sjell ekspertë të fushës nga Federata e Futbollit e Arabisë Saudite: Mohamed Mansour Soltan, Saad Abdullah Alasmari dhe Dhafer Abdullah Alshehri.
“Ne do ta zbatojmë sistemin ‘MySaff’ për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky sistem përdoret për federatat e futbollit nga administratorët dhe pjesa teknike. Do të kemi shumë seminare dhe sesione se si do ta përdorin këtë sistem pjesa administrative e federatave dhe gjatë ditëve në vijim dhe në fund do të bëhet testimi i tyre. Ne, do të konfigurojmë pjesën e ligave, duke përfshirë ndeshjet, gjyqtarët dhe të gjitha çështjet e tjera teknike”, tha Mohamed Mansour Soltan.
Në këtë workshop po marrin pjesë zyrtarë nga departamenti i regjistrimit, menaxhimit të garave dhe burimeve njerëzore të FFK-së, por edhe të FSHF-së. Diskutimet dhe trajnimet gjatë këtyre ditëve synojnë që ky sistem të zbatohet sa më suksesshëm.

SHPËRNDAJE