Pas vendimit të trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, për të sanksionuar tre nga futbollistët për sjellje të papërshtatshme para ndeshjes kundër Qipros, bota e futbollit kosovar ka pasur reagime të shumta dhe të forta nga figura të njohura të këtij sporti. Çështja e disiplinës, profesionalizmit dhe përfaqësimit të denjë të kombëtares është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes.
Ajet Shosholli: Vendimi i Fodës është i merituar
Trajneri legjendar, Ajet Shosholli përkrah vendimin e trajnerit të kombëtares, duke thënë se disiplina është thelbësore, sidomos në një përfaqësuese kombëtare. “Vendimi i Franco Fodës është plotësisht i merituar. Disiplina duhet të respektohet, sidomos në një përfaqësuese. Nuk e di se si veprojnë në klubet e tyre, por futbollistët duhet të kuptojnë se kombëtarja dhe fanela e saj janë të shenjta. Të gjithë i kemi sytë e drejtuar nga ata. Nga ana profesionale, kjo është totalisht e pakuptimtë; të dilet deri në ora 2 të mëngjesit para ndeshjeve nuk do të duhej të ndodhte as nga lojtarët amatorë”.
Bekim Isufi: Ndeshkimi ishte i nevojshëm
Bekim Isufi, një nga figurat e respektuara të futbollit kosovar, nuk e fsheh zhgënjimin e tij. Ai vlerëson se ky lloj sjelljeje e futbollistëve nuk është e pranueshme në nivelin e përfaqësimit të një kombëtare. “Dukuri e keqe absolutisht. Ndeshkimi është dashur të ndodhë edhe më herët. Nuk e di se si mendojnë disa lojtarë të cilët janë profesionistë që vijnë në Kosovë dhe bëjnë kësi dalje, kur në klubet e tyre saktësisht e dinë cilat janë sanksionet. Ana profesionale e lojtarëve dihet që është me jetë më të kufizuar, sepse kjo i bën më profesionistë dhe krijon vazhdimësi në karrierat e tyre. Kjo nuk ndodh as në Superligën e Kosovës, e lëre më në përfaqësuese. Ndeshkimi është më i drejtë, pavarësisht se për cilat emra po flasim. Dukuritë e tilla duhet të sanksionohen”.
Jusuf Tortoshi: Sjellje e papranueshme nga futbollistët
Jusuf Tortoshi është edhe më i ashpër në vlerësimin e tij. Ai e sheh si të pakuptimtë sjelljen e futbollistëve pas humbjes ndaj Rumanisë, duke u pyetur se si kanë guxuar të dalin dhe të ekspozohen në publik. “Fillimisht, pas asaj ndeshjeje dhe humbjes me Rumaninë, nuk e kuptoj se si kanë lejuar veten të ekspozohen dhe të takohen me njerëz. Për më tepër, pyes futbollistët në klubet ku ata luajnë, në Francë, Gjermani e Angli: a kishin guxuar të dilnin në klube deri në ora 2 një ditë para ndeshjes? Nëse kanë qenë në klube të natës një ditë para nisjes për ndeshjen e radhës në Qipro, vendimi i trajnerit Foda është më se i duhuri. Futbollistët janë profesionistë dhe si të tillë duhet të veprojnë”.
Arbnor Morina: Jeta spartane e futbollistëve kërkon sakrifica
Arbnor Morina sjell në vëmendje një tjetër aspekt të rëndësishëm të jetës së futbollistëve: ritmin e lartë të punës dhe disiplinën strikte që kërkohet për të arritur suksesin. Ai thekson se profesionalizmi nënkupton heqjen dorë nga shumë gjëra që njerëzit e zakonshëm mund t’i bëjnë, sidomos kur bëhet fjalë për argëtimin para ndeshjeve.
“Në profesionalizëm, të gjitha gjërat janë të përcaktuara. Jo me vullnetin e forcës, por me vullnetin për të arritur maksimumin. Nuk është për rastësi që jeta e futbollistëve quhet jetë spartane, sepse nënkupton të heqësh dorë nga shumë gjëra që i bëjmë në jetën normale. Në profesionalizëm mbetet pak kohë për argëtim dhe para ndeshjeve, sidomos, është e papranueshme. Ritmi i lartë i punës dhe mënyra e jetesës si futbollist është mënyra për të arritur qëllimin për të qenë elitar në futboll. Për këtë arsye, ata që janë elitë në botë nuk janë shumë në numër. Megjithatë, ata që kanë kuptuar se rruga e vetme është puna dhe përulësia kanë arritur majat. Fatkeqësisht, në futbollin e Kosovës ekziston një gjeneratë që ka pasur të gjitha këto tipare të punës dhe përulësisë, por nuk kanë mundur ta materializojnë talentin e tyre për shkak të ballafaqimit me okupatorët. Megjithatë, ajo gjeneratë ka trazuar rrugën për gjeneratat e reja, dhe këta djem sot duhet të tregojnë profesionalizëm të lartë.
Edhe pse organizmat e njerëzve janë të ndryshëm, fakti që karantinimi ndodh një ditë para ndeshjes tregon mjaftueshëm që futbollistët duhet të përmbushin regjimin dhe rregullat e parapërcaktuara. Edhe në Kosovë ka karantinim të lojtarëve në Superligë, kur e dim që Kosova me territor është suhmë e vogël dhe distancat I kanë të shkurtëra, e lëre më për nivelin e lartë të kombëtares”.
Afrim Tovërlani: Është turp
Edhe trajneri i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani ka shprehur zhgënjimin e tij për sjelljen e tre futbollistëve; “Është turp që të ndodhin dalje të tilla nga futbollistët, cili do qofshin ata, pas një humbjeje të tillë dhe pas pritjes kaq të madhe të tifozëve. Nuk kam dëshirë të shtoj më shumë”.
Muhamet Dragusha: Vendimi i FFK-së është shumë i drejtë
Grumbullimet nuk janë për t’u argëtuar; kjo duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë. Si profesionistë, nuk ka tolerime, ka theksuar Muhamet Dragusha.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se rregullat janë për të gjithë dhe duhet të zbatohet deri në pikën e fundit.
Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj institucioneve, sidomos në këto momente zhgënjimi nga paraqitja e fundit e të gjithë ekipit kombëtar. FFK duhet të denoncojë njëherë që të kuptohet nga të gjithë gjithmonë!”