Ish-Kryetari i Keshillit Nacional të Shqiptarëve, z. Ragmi Mustafi njëherit këshilltarë i zv. Kryeministri Besnik Bislimi,  ka reaguar për zhvillimet e fundit mes Federatës së Futbollit Shqiptar dhe Federatës së Futbollit të Serbisë. Mustafi ka thënë se nëse Serbia synon vërtet të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të fillojë duke treguar respekt për komunitetin shqiptar brenda kufijve të saj.

 

“Përderisa organizimi i Kampionatit të Futbollit U21 mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të shihet si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të kritikojmë ashpër faktin që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë totalisht të anashkaluar dhe të papërfillur në këtë proces. Ky kampionat, i cili promovon frymën e bashkëpunimit sportiv dhe ndërkombëtar, nuk mund të konsiderohet si një nismë e sinqertë për paqe dhe miqësi, përderisa qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Serbi, veçanërisht në Luginë, vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik dhe përjashtim të qëllimshëm nga çdo fushë e jetës publike.
Evenimente të tilla, ku sporti duhet të jetë një urë lidhëse, dëshmon se ky organizim është vetëm një shfaqje sipërfaqësore pa asnjë interes real për të trajtuar problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nëse Serbia synon vërtet të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të fillojë duke treguar respekt për komunitetin shqiptar brenda kufijve të saj, duke i përfshirë ata në aktivitete sportive, kulturore dhe institucionale. Përndryshe, çdo përpjekje tjetër do të mbetet një fasadë pa kuptim që fsheh realitetin e hidhur të diskriminimit.

Nuk mund të ndërtoj marrëdhënie të mira fqinjësore as Shqipëria e as Federata e Futbollit të Shqipërisë me Serbinë dhe Federatën e Futbollit të Serbisë duke injoruar e anashkaluar situatën në Luginën e Preshevës e veçanërisht shovinizmin në fushat e futbollit sa herë që marrin pjesë klubet sportive të Luginës e diskriminimin në investimet e fushave të sportit etj etj.
Hapat e tillë janë të gabueshëm nëse nuk janë të kushtëzuar me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka reaguar Mustafi.

SHPËRNDAJE