Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, do të mbajë sot konferencë për media. Sipas njoftimit të lëshuar nga kjo parti, konferenca do të mbahet në orën 10:30, në hollin e Kuvendit të Kosovës, raporton Express.
Thirrja e kësaj konference vjen një ditë pas publikimit të një audio-incizimi tjetër ku Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke biseduar me Milan Radojçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Bansjkë dhe të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë audio-incizim, Kusari e Radojiçiq flasin për Ligjin për Pagën Minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
Më 14 qershor, pasi ishte votuar Ligji për Pagën minimale, edhe me votat e Listës Serbe, që atë ditë ishte në sallën e Kuvendit, Kusari-Lila kishte akuzuar PDK-në se kishte dërguar Listën Serbe për votim.
“Sot është votuar Ligji për Pagën Minimale dhe në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë (68 për, ndërsa 8 ishin abstenime nga grupi multientik). Në këtë rrethanë, si pozitë, gjegjësisht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka diskutuar vetëm me Grupin Multietnik të deputetëve. Fatkeqësisht, në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listen Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj është përcjellë edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, kishte thënë Kusari-Lila në konferencën për media.
“Si pozitë nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe. Ka muaj tashmë që ata janë rreshtuar krah opozitës. Atë e deklarojnë edhe me votime, përderisa sot qëndruan vetëm për t’i japur hije të keqe një procesi në mënyrë që të jepet argumenti për partinë e cila nuk kishte guximin të ishte prezente në sallë”, kishte akuzuar shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Lidhur me audio-incizimin e publikuar dje, Kusari-Lila ka reaguar duke thënë se “Po e mbrojnë Radojçiqin me sound bites dhe montazha të bisedave me ish deputetin Slavko Simiq, e fundit bisedë në qershor të 2022-tës, pas së cilës ai u nxorr jashtë nga zyra ime”.
Slavko Simiq e ka demantuar Kusari-Lila lidhur me pretendimet e saj se biseda e fundit me të ka qenë në qershor të 2022.
Simiq ka deklaruar mbrëmë se ka pasur udhëzim nga Radojçiq për të mbështetur ligjin për pagën minimale dhe emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën thotë se kërkoi Mimoza Kusari Lila.
Simiq thotë se ka komunikuar me Kusari-Lilan edhe pas qershorit 2022 dhe se nuk është përzënë asnjëherë nga zyra e saj.