Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës z. Agim Ademi ka reaguar me anë të një deklarate në rrjete sociale se ndeshja e mbrëmshme në Bukuresht, nga një ndeshje normal futbolli si do të duhej të ishte, u shëndërrua në një terren ku duhej të luftohej për dinjitet e krenari. Ademi tha se pavarësisht epilogut që do të marrë nata e mbrëmshme, si federatë kanë qëndruar krahë djemve dhe kanë ndarë vendimin e përbashkët për të mos e vazhduar ndeshjen.
Ja postimi i z. Ademi:
Të dashur lojtarë, tifozë, media dhe opinion i gjerë,
Në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshiroj të shpreh falënderimin më të sinqertë për mbështetjen tuaj të pakursyer ndaj vendimit të përbashkët të lojtarëve tanë, shtabit teknik, stafit dhe Federatës për të mos vazhduar lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë që ndodhën në Bukuresht, në ndeshjen Rumani-Kosovë.
Ky vendim nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë. Duke ditur krejt atë që na kishte ndodhur një vit më parë, nuk kemi pritur që një gjë e tillë të na përsëritet sërish në Rumani.
Tani pavarësisht çfarë epilogu ligjor do të ketë kjo ndeshje, duhet theksuar se ne kemi qenë të lënduar emocionalisht (e sidomos lojtarët) nga provokimet dhe nënçmimi i vazhdueshëm që tifozët rumunë bënë në kor.
Kulmi u arrit me incidentin e inicuar nga disa futbollistë kundërshtarë, çka krijoi një ndjenjë të qartë sulmi, jo vetëm ndaj skuadrës sonë, por ndaj shtetit dhe kombit tonë.
Në ato momente të vështira, lojtarët tanë reaguan me dinjitet, dhe ne si Federatë qëndruam krah tyre për të mbrojtur emocionet dhe dinjitetin e tyre dhe të shtetit tonë.
Ky ishte një akt i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e Kosovës dhe për të mbështetur çdo përpjekje për një sport të pastër dhe të drejtë, ashtu siç janë edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s.
Falënderojmë të gjitha institucionet dhe opinionin publik për përkrahjen e tyre të drejtë dhe të vendosur. Ne sigurojmë se nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi konform rregulloreve për rastet e tilla politike dhe qëllimkëqija që nuk kanë vend në sport deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportivë (KAS) në Lozanë.
Futbolli duhet të jetë simbol i fair-play-it dhe bashkimit, veçanërisht në ndeshjet e kalibrit të tillë.
Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi!
Forca Dardanë! Forca Kosovë! 💪⚽️🇽🇰
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së