Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përkujtuar zyrtarët e policisë së Kosovës, heronjtë Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në 21-vjetorin e vrasjes së tyre.

Ajo bëri nderime te lapidari në stacionin policor në Pejë, te vendi i rënies në Raushiq si dhe të varret e tyre në Pobërgjë dhe Koshare.

Gërvalla në Facebook shkruan se betejat e tyre, Sabahatja dhe Isufi i kanë përmbyllur me nder, por puna e përpjekjet për Kosovën, për sovranitet, demokraci e drejtësi nuk kanë përfunduar.

“Sot, si përherë, nderuam heronjtë e demokracisë, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj . Pasi kishin kryer me nder betejat e luftës për lirinë e Kosovës, mëngjesin e 24 nëntorit 2003, zyrtarët e Policisë së Kosovës, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj po shkonin në detyrën zyrtare, që të kryenin misionin e tyre për rend, drejtësi e sundim të ligjit. Si sot, 21 vjet më parë, ata u vranë në një pritë të organizuar e të porositur nga armiqtë e Kosovës së lirë, duke u shndërruar në dëshmorë të demokracisë. Në kujtim të jetës dhe ëndrrës së tyre, sot bashkë me familjarë, miq e kolegë të heronjve, bëmë nderime te lapidari në stacionin policor në Pejë, te vendi i rënies në Raushiq si dhe te varret e tyre, në Pobërgjë dhe Koshare. Betejat e tyre, Sabahatja dhe Isufi i kanë përmbyllur me nder, por puna e përpjekjet për Kosovën, për sovranitet, demokraci e drejtësi nuk kanë përfunduar.  Prandaj, kujtimi e përkujtimi i heronjve të Kosovës, i heronjve të lirisë dhe të demokracisë, përveç se është detyrë, duhet të jetë edhe nxitja e zotimi ynë për arritjen e drejtësisë së plotë, si kusht themelor për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe një Kosove demokratike që ishte ëndërr e Sabahates, Isufit por edhe shumë heronjve tjerë të demokracisë.  U jetësoftë ëndrra e Sabahates dhe Isufit për Kosovën tonë”, ka shkruar ministrja.

SHPËRNDAJE