Komuna e Preshevës po zgjerohet drejt bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm me partnerët nga Kuvajti. Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani, ka njoftuar për takimin e saj me z. Waled Kaled, përfaqësuesin e organizatës “Raham International” nga Kuvajti, për të diskutuar projekte të rëndësishme që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në këtë takim janë trajtuar projekte me ndikim të madh në fusha kyçe si arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik. Disa nga nismat kryesore të propozuara janë:

  • Krijimi i një qendre për inovacion dhe aftësim profesional, për të ndihmuar të rinjtë në zhvillimin e aftësive të reja dhe inovative;
  • Renovimi i çerdhes “8 Marsi” në Preshevë, për të përmirësuar infrastrukturën për fëmijët e vegjël;
  • Ndërtimi i shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë dhe renovimi i shkollave të tjera që kërkojnë ndërhyrje;
  • Pajisja e qendrave shëndetësore, për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor;
  • Subvencionimi në bujqësi, blegtori dhe bletari, si dhe përkrahja për gratë dhe të rinjtë në ndërmarrësi.

Gjithashtu, është theksuar rëndësia e Zonës Industriale të Preshevës, si një pikë kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Znj. Sinani ka theksuar se ky bashkëpunim mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në përmirësimin e kushteve jetësore dhe ekonomike për banorët e komunës. Angazhimi i saj për të sjellë projekte ndërkombëtare dëshmon përkushtimin për zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie për qytetarët e Preshevës.

“Bashkëpunime të tilla janë një mundësi e shkëlqyer për të sjellë investime dhe për të realizuar projekte jetike për komunën tonë,” ka theksuar kryetarja Sinani.

Ky bashkëpunim me Kuvajtin është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të ndritur për Preshevën dhe banorët e saj.

SHPËRNDAJE