Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se s’është pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak se është shef i shtabit të partisë, e sipas tij, për këtë s’duhet të jetë pjesë e listës.

Bislimi ka shkruar në Facebook se njëlloj ka qenë edhe në vitet e kaluara, derisa shtoi se “rezultati i tri zgjedhjeve të fundit tregon që kjo ka qenë strategjia e duhur”.

“Për t’i dhënë fund edhe manipulimeve të shpërndara që nga mbrëmë, njoftoj të gjithë se mospjesëmarrja ime në listën zgjedhore të subjektit tonë, vjen si fakt i udhëheqjes së shtabit zgjedhor. Shefi i shtabit, rrjedhimisht, nuk do duhej të jetë pjesë e listës. Kështu ka qenë edhe në vitin 2017, edhe më 2019 dhe më 2021, e do jetë përsëri tash në 2024. Rezultati i tri zgjedhjeve të fundit, tregon që kjo ka qenë strategjia e duhur”, u shpreh ai.

Ai ka shtuar se VV-ja po kandidon për zgjedhjet e 9 shkurtit me një listë të denjë “për të arritur përsëri një tjetër fitore të madhe”.

“Kosova për herë të parë ka një qeveri që po e përmbyll të plotë mandatin e saj katër vjeçar. Kjo qeveri, ishte fryt i listës së fitores së madhe të 14 shkurtit 2021. Me një listë po aq të denjë për të përfaqësuar shtetin dhe qytetarët, me figura të reja e të njohura, po kandidojmë edhe në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, për të arritur përsëri një tjetër fitore të madhe. Që kjo është lista më e mirë, e tregojnë emrat, e tregojnë arritjet, e tregojnë intelekti, aftësia dhe ndershmëria e të gjithëve për të jetësuar idealet dhe vlerat e Lëvizjes. Lista jonë i flet qytetarit dhe është zë i tyre. Andaj, për dallim prej subjekteve të tjera politike, Lëvizja jonë nuk ka nevojë për shpenzime marramendëse të dhjetëra mijëra eurove në ditë për rrjete sociale e analistë, për t’i “bindur” qytetarët për kualitetin e listës”, ka thënë Bislimi.

SHPËRNDAJE